Për një javë ATK-ja mbylli 11 lokale të lojërave të fatit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se brenda një jave ka mbyllur 11 lokale të lojërave të fatit.

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë javës së shkuar nga vizitat e rregullta në terren, por edhe nga informacionet e pranuara nga qytetarët ka zhvilluar 30 aktivitete, ku si rezultat janë mbyllur 11 lokale të lojërave të fatit, të cilat aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar duke mos iu përmbajtur kritereve të Ligjit për Lojërat e Fatit, shkruan lajmi.net.Siç bëhet e ditur në njoftimin e ATK-së, nga parregullsitë e konstatuara janë lëshuar 13 gjoba, në vlerë 54,000 euro, përveç gjobave janë konfiskuar edhe 2 pajisje të kësaj veprimtarie.

ATK përmes këtij njoftimi ka bërë të ditur se Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdojë me aksione të tilla në çdo kohë, bazuar në autorizimet që i jep Ligji për Lojërat e Fatit.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë në ATK, rastet për të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme”, thuhet në komunikatë