Për 20 vite, vetëm katër serbë të dënuar për krime lufte – 1300 lëndë në sirtarët e Prokurorisë

Gjatë luftës se fundit në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 518 persona, 10 mijë e 794 prej tyre shqiptarë. Ndërsa 1658 persona konsiderohen të pagjetur.

20 vite pas luftës së fundit, ende nuk janë ndriçuar të gjitha rastet e kryerjes së krimeve nga ana e Serbisë në Kosovë.

Gjatë këtyre viteve e deri më sot të dënuar për krime lufte në Kosovë, janë vetëm katër serbë dhe mbi 30 shqiptarë.

Avokati i njohur, Tomë Gashi në një prononcim për lajmi.net ka treguar edhe për disa nga rastet tjera.

“Për 20 vite prej 12 qershor ‘99 deri më sot janë dënuar për krime lufte vetëm katër serbë në Kosovë, në gjykatat në serbi 15 serbë dhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë janë dënuar 6 serbë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka theksuar se për raste të krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale janë 1300 lëndë.

“Në Kosovë janë 1300 lëndë të cilat janë të grumbulluara në sirtarët e Prokurorisë Speciale, për shkak se aty janë vetëm tre prokurorë të cilët punojnë me rastet e krimeve të luftës prej kalimit të mandatit të EULEX-it tek prokurorët vendorë, që po i bjen për civilët e vrarë punojnë tre vetë dhe ata kanë fillu para një viti”, ka theksuar avokati.

Lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me Prokurorinë Speciale mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Së fundi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka iniciuar formimin e një Tribunali, ku do të gjykohen krimet që ka kryer shteti i Serbisë.

Ndërsa, të enjten e kaluar, Kuvendi miratoi projektrezolutën për gjenocidin dhe krimet serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

SHPËRNDAJE