Pastrimi i parave dhe korrupsionit po e dëmton zhvillimin ekonomik

Pastrimi i parave dhe korrupsionit po e dëmton zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Prandaj autoritetet e Kosovës duhet të punojnë për zbatueshmërinë e ligjit.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshilli i Evropës në kuadër të projektit të përbashkët kundër krimit ekonomik, në të cilin janë dhënë vlerësime rreth përputhjes së ligjeve të Kosovës me standardet evropiane në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave.

Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Kosovë u shpreh se ndonëse Bashkimi Evropian do të vazhdojë të përkrah Kosovën për luftimin e dukurive negative, në duart e autoriteteve kosovare është krijimi i një shteti ligjor.

Ai tha se përkundër që Kosova ka bërë disa ndryshime sa i takon aspektit ligjor ende ka hapësirë për të punuar në këtë drejtim.

“Qartazi ka disa sfida dhe ne po shikojmë në mënyrë progresive duke integruar Kosovën në struktura relevante ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian do vazhdoj t’iu mbështesë juve në këto përpjekje. Çka do çoftë që është në letër nëse nuk është e zbatueshme dhe e zbatuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit në praktik, kjo është një fushë ku ne duhet që të rrisim përpjekjet tona dhe të sigurohemi që institucionet e zbatimit të ligjit, Bashkimi Evropian që është duke i mbështetur për shumë vite me radhë…..Përgjegjësia për shtetin dhe zbatimin e ligjit për një shtet ligjor pra dhe të gjitha fushat tjera të cilat janë relevante për jetën e njerëzve në Kosovë është në duart e autoriteteve të Kosovës”, u shpreh Chlad.

Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza me këtë rast u shpreh se pastrimi i parave po dëmton shumë zhvillimin ekonomik të vendit, por që institucionet e Kosovës po punojnë maksimalisht në luftimin e krimit ekonomik.

Hamza këtë raport e ka vlerësuar si vegël të çmuar e cila forcon kapacitetet e Kosovës për luftimin e këtyre dukurive negative.

“Nuk do koment që pastrimi i parave dëmton zhvillimin ekonomik, duke dobësuar shtetin e së drejtës, aftësinë e shtetit për aplikim të drejtë të faturave, funksionimin e ekonomisë së tregut, stabilitetin makroekonomik dhe sulmon esencën e një shoqërie të bazuar në merita. Si pjesë e ministrisë së Financave njësia e inteligjencës financiare është një nga dy institucionet që udhëheqin mbështetjen për të gjitha institucionet të tjera në kuadër të projektit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik”, ka deklaruar Hamza.

I pari i financave të Kosovës tha se kjo Ministri ka krijuar korniza ligjore në harmoni me standardet ndërkombëtare që mundësojnë zbatimin korrekt të ligjit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u shpreh se përmes një reformimi të thellë ligjor, prokurorët dhe hetuesit e Kosovës do të keni mundësi që të kenë instrumente të përshtatshme për luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e pastrimit të parave.

Ai tha se presin që të ketë një koordinim pozitë dhe opozitë për të aprovuar draft kodin e ligjin të Kodit Penal dhe konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme.

“Republika e Kosovës ka rritur në një stad ku kemi një politikë mjaftë të avancuar dhe shpresoj që me një angazhim edhe të timin por edhe të kryeministrit, besoj që brenda këtij viti ne do të arrijmë ta përfundojmë edhe leximin e dytë të këtij ligji edhe version final të këtij projektligji dhe jemi të bindur që prokurorët, dhe hetuesit tanë do kenë instrumente shumë më të fuqishëm në duart e tyre për parandalimin e shumë aktiviteteve kriminale çofshin ato brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin jashtë“, u shpreh ai.

Zëvendës shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Vahagn Myradyan u shpreh se vetëm duke punuar të gjitha institucionet së bashku mund të arrihet luftimi i korrupsionit dhe shpëlarja e parave.

Ai duke theksuar angazhimin e Këshillit Evropian ndaj Kosovës tha se parim fundamental i tyre është të pengohet mos zbatimi i ligjit.

“Perspektiva jonë nuk duhet të jetë vetëm përforcimi i institucioneve , por brenda kontekstit të ndihmës së zhvillimit, ne flasim edhe për institucionet, mirëpo shumë shpesh harrojmë të drejtat e njeriut dhe individi që përfundimisht të përfitojnë nga kjo. Ndaj kur ne angazhohemi nga kjo punë mendoj që është tejet e rëndësishme që të kemi këtë perspektiv të gjerë në lidhje me atë se cili është qëllimi ynë përfundimtar …Krimet e korrupsionit dhe shpëlarjes së parave janë të ndërlikuara edhe kurdo që kemi dukuri të ndërlikuara kërkohen përpjekje të përbashkëta për të gjitha institucionet që punojnë së bashku me qëllim të adresimit të këtyre krimeve”, tha ai.

Në fund të kësaj konference u lansua edhe raporti për përputhshmërinë e Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit (LKK), dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT).