Passat dhe Superb, modelet që Volkswagen pritet t’i prodhojë në Turqi

Passat dhe Skoda Superb janë dy modelet që kompania gjermane e automjeteve Volkswagen pritet t’i prodhojë në fabrikën e saj në Turqi, njoftoi drejtori i Skoda-s për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zafer Başar, drejtor i përgjithsëm i Yüce Auto Skoda, në një intervistë për AA e cilësoi si “të jashtëzakonshëm” investimin e Volkswagen-it në Turqi, duke shprehur bindje se ky investim do të kontribuojë në masë të madhe në ekonominë turke.

Sipas tij, marrja përsipër për prodhimin e modeleve Passat dhe Superb në Turqi do të sjellë me vete edhe konkurrencë në nivel evropian.

“Passat dhe Superb janë modelet më të shitura në Evropë në formën sedan”, shtoi ai.

Volkswagen hapi filialin e saj në Turqi në fillim të muajit tetor, me plane për të ndërtuar strukturë prodhimi shumë-markash në provincën perëndimore Manisa, pa njoftuar se cilat modele do të prodhoheshin në Turqi.

Javën e kaluar, Grupi Volkswagen prezantoi në Stamboll modelin Superb të Skodas, markë e kompanisë gjermane.

Filiali i kompanisë gjermane në Manisa të Turqisë u themelua si “Volkswagen Turkey Otomotiv Sanayi ve Ticaret AŞ” me një vlerë kapitali prej 943,5 milionë lirash (rreth 147,5 milionë euro).