Pasditen e sotme përfundon afati 48 orësh i Thaçit ndaj Kurtit për nominimin e kryeministrit

Pasditen e sotme do të përfundojë afati 48 orësh, që është vendosur nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të propozuar mandatarin e Qeverisë së re të Kosovës.

Thaçi  këtë afat kohor e bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetin social Facebook pas takimit që pati me Kurtin në presidencë, i cili tha se “Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës”.

“Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi.