Pas Komisionit Hetimor, Meta ‘dërgon’ Kuvendin në Venecia

Zëdhënësi i Presidentit ka bërë me dije se institucioni i Presidentit do ti drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet e pretenduara kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

Në një njoftim në Facebook, ai njofton se në vazhdën e Kuvendit për të shteruar objektivisht këtë çështje, do ti kërkoj Komisionit të Venecias opinionin mbi shkeljet e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.

Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.”, njofton zëdhënësi i Presidentit. /Opinion.al