Partia Socialiste fiton zgjedhjet në Portugali

Partia Socialiste (PS) e kryeministri portugez Antonio Costa ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të cilat u mbajtën dje në Portugali, por nuk ka shumicën e nevojshme për të krijuar vet Qeverinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Brendshme e këtij vendi njoftoi se partia ka fituar 106 prej 230 vendeve në parlament, dhe se për formimin e Qeverisë nevojiten edhe 10 vende deputetësh.

Për rezultatet, Kryeministri dhe drejtuesi i partisë Antonio Costa tha se: “Stabiliteti politik është baza për besueshmërinë ndërkombëtare të Portugalisë. Populli portugez zgjodhi një PS më të fortë për një qeveri të qëndrueshme”.

Duke theksuar se partia e tij doli nga zgjedhjet më e fortë, Costa shtoi se stabiliteti që ata kanë krijuar do të ruhet edhe për katër vjet të tjerë.