Parlamenti Evropian: Zgjidhja për Kosovën duket më larg se kurrë

Parlamenti Evropian ka publikuar studimin “Marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës, konfrontim ose normalizim”. Parlamenti Evropian ka konkluduar në një studim për raportet mes Serbisë dhe Kosovës se zgjidhja e sfidave të komplikuara politike është më larg se kurrë më parë duke theksuar se qëndrimet janë të ndryshme dhe aq të fuqishme sa që zgjidhja duket larg. Në raportin analitik me titullin “Marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës, konfrontim ose normalizim” thuhet se më tepër se 100 shtete, përfshirë 23 shtete anëtare të BE-së kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por se “njohje të tjera të Kosovës dhe anëtarësime në shumicën e organizatave ndërkombëtare janë ende larg”, transmeton lajmi.net.Sipas raportit, Serbia dhe Kosova dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së por Unioni insiston se Serbia duhet t’i normalizojë raportet e saj me Kosovën para se të bëhet anëtare e re.Më 2011, me ndihmën e BE-së, dy palët zgjidhën çështjet teknike por mosmarrëveshjet kanë penguar bashkëpunimin normal mes tyre në fusha të ndryshme përfshirë tregtinë, furnizimin me energji dhe udhëtimin ndërkufitar, thuhet në vazhdim të raportit, transmeton lajmi.net. Në fazat e hershme të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës nën mbikqyrjen e BE-së që filluan më 2011, negociatorët kanë qenë të fokusuar në probleme praktike me shpresë se do të arrijnë një zgjidhje të tyre dhe të krijojnë kushte për përmbylljen e temave politike si autonomia e serbëve të Kosovës, thuhet në vazhdim.Për një kohë dukej se do të ketë sukses, u konfirmuan disa marrëveshje më 2013 përfshirë marrëveshjen e Brukselit më 2015, për Komunat me shumicë serbe. Mirëpo, prej atëherë ai proces u ndal, thuhet në raport dhe theksohet se kundërshtimet vazhdojnë edhe për tema teknike si rrjeti eletrik dhe regjistrimi i veturave. “Zgjidhja për sfidat e komplikuara politike është më larg se kurrë më parë, asnjëra palë nuk është e gatshme të bëjë lëshime as në shkëmbim të anëtarësimit në BE”, thuhet në raport. Po ashtu, çështja e korrigjimit të kufijve që u përmend në vitin 2018, përkohësisht ngriti shpresë për hapjen e rrugës përpara por kundërshtimet vendore dhe ndërkombëtare ndaj kësaj ideje janë të vazhdueshme. Siç thuhet, edhe pse liderët kosovarë dhe serbë pranojnë të kthehen në negociata, nuk ka qëndrime të hapura për kompromis. “Përkundër presionit në rritje ndaj të dyja palëve që përfundimisht të arrijnë një marrëveshje që mund të shërbejë edhe si hapje e dyerve për anëtarësim evropian, raportet janë edhe më tej të tensionuara dhe përpjekjet drejt normalizimit janë aktualisht të bllokuara”, thuhet në raport, transmeton lajmi.net. Autori i raportit thekson se më 2015, Serbia dhe Kosova u pajtuan për katër marrëveshje gjatë negociatave të udhëhequra nga BE.Aso kohe, Hashim Thaçi në rolin e Kryeministrit kishte thënë se Kosova e detyroi Serbinë ta njeh si shtet i pavarur kurse përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq deklaroi se Beogradi fitoi me rezultat 5:0, përcjell lajmi.net. Një logjikë e ngjashme ka qenë edhe kur Ministri i Punëve të Bredshme i Serbisë, Nevojsa Stefanoviq përshëndeti vendimin e INTERPOL-it për refuzimin e anëtarësimit të Kosovës më 2018 duke e quajtur fitore, njësoj sikurse përplasjet e vazhdueshme rreth njohjeve ose tërheqjes së vendimeve për njohje të Kosovës nga shtetet e treta. “Thaçi dhe administrata amerikane shprehen të bindur se viti 2019 mund të sjellë një marrëveshje. Mirëpo, qëndrimet e fuqishme kundërshtuese vazhdojnë dhe kompromisi i kërkuar të arrihet duket pak i besueshëm”, përmbyll raport.
SHPËRNDAJE