Papunësia e “modifikon” personalitetin e njeriut

Papunësi për një kohë të gjatë Jeta e njeriut ndryshon çdo vit, bëhet gjithnjë e më e ndezur, frenetike. Koha kalon shpejt. Punë- shtëpi, shtëpi-punë, pak kohë për t’i dedikuar vetes, familjes. Puna, sido që të jetë, ka një rëndësi jetike për të gjithë ne, si për aspektin ekonomik, edhe për atë jetësor, pasi thyen monotoninë, duke na bërë të ndjehemi më të dobishëm, si për veten gjithashtu dhe për të kontribuar për shoqërinë.Puna në ditët e sotme, ku shoqëria aktuale vrapon në drejtime të ndryshme, pa e kthyer kokën pas, është e domosdoshme.

Kënaqësia që njeriu ndjen kur vë në praktikë përvojën dhe njohuritë tij në punë nuk krahasohet me asgjë tjetër vitale të shoqërisë sonë. Pasja e suksesit në punë lidhet ngushtë dhe me të pasurit sukses në jetë dhe, gjërat e tjera vetëm sa zbukurojnë pazëllin e jetës sonë, pasi asgjë nuk mund ta zëvendësojë kërkimin tonë të vazhdueshëm në gjetjen e qetësisë dhe lumturisë me atë që mund të na ofrojë puna.

Puna është një emancipues i madh i njeriut, një formë e vetë-realizimit, ku aplikojmë atë që kemi mësuar, dhe ku bëjmë të pamundurën për të realizuar ëndrrat tona, duke kënaqur në këtë mënyrë nevojat vetjake.Por çfarë ndodh brenda nesh kur jemi të papunë për një kohë të gjatë?Sipas studimeve të ndryshme, papunësia afatgjatë, ka efekte shkatërruese me kalimin e kohës në jetën sociale dhe relacionale të një personi, efekte që tashmë janë analizuar edhe nga kërkimet e ndryshme shkencore.

Kur humbasim punën, ndjenja e parë që lind brenda nesh është ajo e pesimizmit, por dalëngadalë kjo ndjenjë ndryshon. Njeriu ndjehet më i lirë, sikur rilind sërish, pasi koha në dispozicion për të kaluar me të dashurit e zemrës, për të dalë, rritet dhe brenda njeriut lind ndjesia e të qenit në “pushime afatgjatë”. Por në qoftë se nuk arrihet gjetja e një pune të re, kjo ndjenjë ndryshon “gjendje”, ku shumica e njerëzve fillojnë të dorëzohen “lufta” për gjetjen e një pune tjetër.

Kjo mirëqenie false lë gjurmët e saja tek ne edhe në qoftë se ndjenja e depresionit rritet. Gjatë papunësisë bashkëjetojnë brenda njeriut si ndjenjat negative të situatës që po jetojnë me ato pozitivet, për të treguar një realitet jo të vërtetë. Pas një periudhe të gjatë inaktiviteti, personit i cili më parë e jetonte tepër keq situatën e tij, fillon ta pranojë dhe ta jetojë jo më si diçka me kohëzgjatje të shkurtër, ët cilës do t’i vijë fundi, por si një situatë në të cilën mund të qëndrojë për një kohë duke e humbur motivimin fillestar për të dalë nga situata e krijuar.

Dhe, nëse vazhdohet të kërkohet punë, angazhimi dhe përqendrimi janë më të pakta.Mungesa e punës për një përiudhë të gjatë dëmton mirëqenien psikologjike të individëve. Arsyeja është e lehtë për t’u kuptuar. Kjo gjendje papunësie dhe pasiviteti mund të modifikojë dhe perceptimin që njeriu ka për veten e tij, duke u nisur që nga skemat që ai ka krijuar rreth vlerave të vetes deri tek ndjenja e kontrollit të ngjarjeve që përbëjnë jetën e personit. Individi në këtë mënyrë humbet besimin rreth së ardhmes, duke treguar sjellje mospërshtatjeje, të cila udhëhiqen nga demotivimi dhe frustrimi.

Në këtë rast, tek individë të ndryshëm zhvillohet humbja e besimit në të ardhmen, e cila udhëhiqet nga sjellje keqpërshtatëse nga demotivimi dhe frustrimi.Disa studime kanë hipotetizuar se kjo gjendje mund të ndikojë edhe në modifikimin e personalitetit. Normalisht, personaliteti ka tipare të cilat konsiderohen “fikse” që do të thotë që janë pak të predispozuara për ndryshim. Por faktorët e jashtëm, veçanërisht ata relevantë, mund të kenë një ndikim të fortë në tiparet e personalitetit.

Një studim i kryer nga Qendra e Shkencës së Sjelljes në Universitetin Stirling, në Britaninë e Madhe, publikuar në Gazetën e Psikologjisë së Aplikuar të Shoqatës Psikologjike Amerikane (Journal of Applied Psychology dell’American Psychological Association), ka evidentuar se papunësia për një kohë të gjatë mund të shkaktojë edhe ndryshime të rëndësishme në të gjithë aparatin personalitik të individit.

Edhe pse personaliteti konsiderohet si diçka e qëndrueshme përgjatë boshtit kohor, ekzistojnë gjithsesi disa dimensione që e karakterizojnë atë, të tilla si: zelli, gatishmëria, të qenit operativ dhe i hapur për përvoja të reja, të cilat kanë tendencën për t’u ulur gradualisht kur papunësia është e tejzgjatur.

Kjo “prishje” e këtyre elementëve rezulton të jetë e lidhur ngushtë me humbjen e motivimit të brendshëm, që nëse është i vazhdueshëm, me kalimin e kohës krijojnë ndryshime të përhershme rreth personalitetit të subjekteve të ndryshme. Rezultatet e arritura nga studimi i lartpërmendur, kanë treguar se si pjesëmarrësit në këtë projekt (të ndara në tre grupe), të cilët ishin të papunë gjatë periudhës së kërkimit, raportuan ndryshueshmëri të theksuara në elementët e sipërpërmendur, lidhur me tiparet e personalitetit, në krahasim me personat të cilët punonin ose ato të cilët kishin gjetur punë pas një periudhe papunësie, tek të cilët ndryshimi ishte i pakët, duke raportuar ndryshime pak sinjifikative.

Pjesa më e dëmshme e kësaj situate qëndron në faktin se krijohet një rreth vicioz, në të cilin humbja e motivimit dhe papunësia për një kohë të gjatë bëhen reciprokisht të ndërvarura. Përfundimet e këtij studimi na bëjnë të mendojmë se si papunësia jo vetëm që përbën një aspekt negativ në ekonominë e vendit, por rezulton të jetë gjithashtu dhe një rrezik për shëndetin mendor dhe fizik (psikofizik) të personit që ka nevojë për tutelim. Revistapsikologji(Autorja është psikologe zhvillimi) Sonila Gruda./Mesazhi/