Palestinezet shënuan 61-vjetorin e masakrës në Kafr Qasim

Me protesta masive palestinezët në Izrael sot shënuan përvjetorin e masakrës, të cilën forcat izraelite të sigurisë në qytetin Kafr Qasim e kryen në vitin 1956, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat izraelite 61 vite më parë hapën zjarr duke vrarë së paku 48 punonjës arabë në Kafr Qasim, qytet që shtrihet në anën izraelite të vijës së gjelbër kufitare.

Palestinezët në Izrael sot hynë në grevë të përgjithshme, ndërsa qindra prej tyre morën pjesë në marshin protestues në Kafr Qasim, për të përkujtuar masakrën që ndodhi në këtë qytet, por edhe për të kundërshtuar vazhdimin e represionit izraelit ndaj palestinezëve.

Marshit tradicional protestues iu bashkuan edhe deputetët arabë të Parlamentit të Izraelit (Kneset), ndërsa parakalimi nga xhamia Abu Bakr al-Siddiq deri ne qendrën memoriale kaloi pa incidente.

Një tubim i ngjashëm është mbajtur edhe në Bregun Perëndimor.

Ndonëse ish-presidenti izraelit, Shimon Peres, para dhjetë viteve shprehu keqardhje për shkak të masakrës ndaj punonjësve palestinezë në Kafr Qasim, palestinezët nga Qeveria e Izraelit presin ndjesë dhe marrjen e përgjegjësisë për këtë sulm.