Palestinezët protestojnë kundër konferencës së kryesuar nga SHBA-të

Qindra palestinezë të hënën morën pjesë në tubimet në Bregun e okupuar Perëndimor për të protestuar kundër konferencës së kryesuar nga SHBA-të që këtë javë mbahet në Bahrejn, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët amerikanë do të shpalosin pjesën ekonomike të planit të tyre paqësor për Lindjen e Mesme, të njohur si “Marrëveshja e shekullit”, gjatë konferencës së caktuar për më 25-26 qershor.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë bëri thirrje për investime në vlerë prej 50 miliardë dollarëve për Palestinën dhe vendet fqinje si pjesë e planit, i cili bën thirrje për më shumë projekte infrastrukturore mes Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, me qëllim të “fuqizimit” të popullit palestinez.

“Konferenca e Bahrejnit ka për qëllim që të ofrojë mbështetje politike dhe mbulesë ekonomike për marrëveshjen e shekullit”, tha për Anadolu Agency (AA) Qais Abd al-Karim, zv/sekretari i përgjithshëm i Frontit Demokratik për Çlirimin e Palestinës (DFLP).

Ai gjithashtu tha se konferenca synon të ” likuidojë kauzën palestineze”.

Protestuesit në qytetin Ramallah mbanin pankarta kundër propozimit amerikan për paqe dhe konferencës në Bahrejn.

“Ne e refuzojmë konferencën e Manamas”, tha Zeyad Abdo, njëri prej protestuesve. “Kauza jonë është politike, jo ekonomike”.

Tubime të ngjashme u organizuan në qytetet Hebron, Bethlehem, Jenin, Nablus, Tulkarm, Salfit dhe Qalqilya.

“Marrëveshja e shekullit” akoma nuk është publikuar e tërë. Megjithatë, bazuar në raportimet e mediave, ajo parashihet të bëjë lëshime të mëdha për Izraelin sa i përket statusit të qytetit të Kudsit dhe të drejtës së refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Palestinën historike.

Kudsi mbetet thelbi i kontestit shumëdekadësh në Lindjen e Mesme, me palestinezët që shpresojnë që Kudsi Lindor, i okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, mund një ditë të shërbejë si kryeqytet i shtetit palestinez.

Autoritetet palestineze kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në konferencën e Bahrejnit dhe kanë refuzuar çfarëdo roli të SHBA-ve në procesin ndërmjetësues që nga njoftimi kontrovers i vitit të kaluar të Trumpit që të vendosë ambasadën amerikane në Kuds.