Pajisje përgjimi pranë Shtëpisë së Bardhë, Izraeli s’pranon të ketë gisht

Pas lajmit se Izraeli ka vendosur një pajisje përgjimi pranë Shtëpisë së Bardhë, ka reaguar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu duke mohuar kategorikisht akuzën në fjalë.

Sipas tij e gjitha kjo s’është gjë tjetër veçse një mashtrim.

Zëdhënësi i ambasadës izraelite në Uashington Elad Strohmayer, mohoi gjithashtu njoftimin e kompanisë mediatike me qendër në Uashington “Politico”, dhe tha për “Zërin e Amerikës se “Izraeli nuk kryen operacione spiunazhi në Shtetet e Bashkuara”.

“Politico” njoftoi të enjten se qeveria amerikane beson se Izraeli, një aleat i ngushtë i vendit, ishte ndoshta përgjegjës për vendosjen e pajisjeve të përgjimit të gjetura pranë Shtëpisë së Bardhë dhe në disa vende të tjera të rëndësishme në Uashington DC.

“Pajisjet e vogla të përgjimit, të njohura si StingRays me gjasë kishin për qëllim të spiunonin Presidentin Donald Trump”, shkroi “Politico”. Por në shkrim thuhej gjithashtu se “nuk është e qartë nëse përpjekjet izraelite kishin qenë të suksesshme”.

Po kështu, disa ish-zyrtarë të lartë amerikanë të Sigurisë Kombëtare i thanë “Politico-s” se nga analiza që u është bërë pajisjeve nga Byroja Federale e Hetimit dhe agjencitë e tjera amerikane, ka rezultuar që ato të jenë të vendosur nga agjentë izraelitë.

Megjithatë SHBA-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër Izraelit lidhur me dyshimet për vendosjen e pajisjeve përgjuese. Sipas shkrimit të “Politico-s” Uashingtoni nuk u ka vënë rëndësi veprimet e pretenduara të Izraelit, për shkak të marrëdhënies shumë të ngushtë të zotit Trump me zotin Netanyahu./tch