Pacolli: Kosova thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur hungareze

Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse ndaj shtetit dhe popullit hungarez për mbështetjen e palëkundur, të shumëanshme dhe në të gjitha fazat e procesit të shtet-ndërtimit të vendit tonë dhe bashkëpunimi në mes dy vendeve do të rritet në gjitha fushat e interesit dy-palësh dhe shumëpalësh.

Kështu ka thënë Zëvendës-kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë pritjes që i ka bërë, Ministrit të Jashtëm dhe Tregtisë së Hungarisë, Sh.T.Z., Péter Szijjártó, dhe delegacionit të tij në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, njofton kuntesa.

“Ne, jemi shumë të kënaqur që t’ju mirëpresim në Kosovë. Ju jemi shumë mirënjohës, që Ju dhe delegacioni Juaj jeni këtu dhe e përsëris edhe një herë mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për mbështetjen e Hungarisë, që nga njohja (10 vjet më parë), mbështetjen në proceset e ndërtimit të shtetit, në integrimet rajonale dhe euro-atlantike deri në nisma të ndryshme të rëndësishme dhe projekte, asistencë me ekspertizë në sektorë të ndryshëm, dhe tani me thellimin e bashkëpunimit ekonomik”, është shprehur kryediplomati kosovar, Pacolli, duke theksuar në veçanti ndihmën e madhe dhe të një rëndësie të lartë të programit të bursave “Stipendium Hungaricum”, nga ku deri më tash kanë përfituar 118 studentë kosovarë.

Siç thuhet në njoftim, në margjina të takimit dy-palësh është diskutuar mbi mbështetjen e nevojshme të shtetit hungarez për anëtarësimin e vendit në INTERPOL; procesin e integrimeve euro-atlantike të Republikës së Kosovës dhe domosdoshmërinë e liberalizimit të shpejtë të vizave për shtetasit kosovar si dhe mbarëvajtjen e procesit të dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për të cilat është shprehur mbështetje nga kryediplomati hungarez, Szijjártó.Më pas, pas takimit bilateral dhe me prezencën edhe të Ministrit të Infrastrukturës, z. Pal Lekaj, është nënshkruar Marrëveshja për Projektin për Sigurinë në Autostradë në kuadër të Marrëveshjes së Ndihmës së Asociuar (projekt prej 5.1 milion euro), ndërkohë që është shprehur përkushtimi nga të dyja palët për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, duke marrë parasysh faktin, që Republika e Kosovës dhe Hungaria deri më tani kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, të cilat krijojnë mundësi për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Vëllimi i shkëmbimit tregtarë në mes Republikës së Kosovës dhe Hungarisë kap vlerën multimilionëshe, ndërsa në tregun e vendit tonë janë të evidentuara rreth 40 biznese me kapital nga Hungaria, në sektorin e tregtisë, transportit, minierave si dhe aktivitete të tjera.