Pa shqiptarët institucionet në Maqedoni nuk funksionojnë

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, u ka bërë thirrje të gjitha partive që të reflektojnë dhe të sigurojnë funksionin normal të institucioneve, pasi është në dobi të qytetarëve dhe të institucioneve të shtetit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se zgjedhja e kryetarit të kuvendit është pikënisja e daljes nga kriza e stërzgjatur në Maqedoni.

“Kjo e hap rrugën e fillimit të funksionimit të institucioneve në mënyrë ligjore dhe të vënies së rendit në institucionet e shtetit”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka theksuar se uzurpimi i funksioneve dhe moszbatimi i kompetencave dhe obligimeve kushtetuese nga ana e presidentit Gjorge Ivanov është shkas nga i cili masa është motivuar për të ushtruar dhunë në kuvend. Kryeparlamentari Xhaferi ka bërë me dije se asnjë qeverisje nuk ka mundur të jetë efektive dhe funksionale pa pjesëmarrjen e shqiptarëve.