Osmani: 17 shkurti i 2008-s është i pakthyeshëm dhe Republika e Kosovës është e përhershme

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nder të 12-vjetorit të Pavarësisë.

Nën udhëheqjen e kryetares Vjosa Osmani, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë.

Me këtë rast, në fjalimin e saj, Osmani, ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, raporton lajmi.net.

Osmani po ashtu, ka falënderuar të gjithë artistët, sportistët e studentët të cilët siç theksoi ajo, kanë bërë të flamuri i Kosovës të ngrihet në vendet ku nuk njihet pavarësia e shtetit.

Ajo tha se falë artistëve si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e Arta Dobroshi, është bërë e mundur që Kosovën ta njohin dhe ta duan.

Kryetarja e Kuvendit, falënderoi edhe sportistët e në veçanti xhudistët dhe futbollistët.

Osmani po ashtu ka falënderuar të gjithë shtetet që e ndihmuan Kosovën, por në veçanti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në fjalimin e saj, Osmani u zotua dhe bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe më tutje.

Por, osmani po ashtu, u zotua se do të mbrohet çdo pëllëmbë e territorit të Kosovës dhe se sipas saj, nuk do të ketë kthim mbrapa nga 17 shkurti i vitit 2008.

“Sot në 12-vjetorin e Pavarësisë duhet zotohemi se çdo ditë do të përpiqemi që ta forcojmë shtetin, sundimin e ligjit, mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetë me dinjitet për të gjithë. Duhet të zotohemi sërish se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës sonë, të sigurojmë pacenueshmërinë e integritetit territorial e sovranitetit të vendit dhe që jo vetëm fjalët tona por edhe veprat tona të dëshmojnë se 17 shkurti 2008 është i pakthyeshëm dhe se Republika e Kosovës është e përhershme”, deklaroi ndër të tjera Osmani, raporton lajmi.net.

Në këtë seancë solemne, Osmani nuk harroi të falënderoj të gjithë policët dhe ushtarët e rënë në detyrë gjatë këtyre 12 viteve.

Ajo tha se është krenare që pjesëtarët e FSK-së, tashmë japin kontributin e tyre edhe nëpër akademitë më prestigjioze ushtarake.