Ora 21:00, finalja Barcelona-Valencia

Futbolli spanjoll është gati për aktin e fundit të sezonit 2018-2019. Në orën 21:00, në stadiumin “Benito Villamarín” të Sevillas, Barcelona dhe Valencia do të përballen në finalen e Kupës së Mbretit, një trofe i dominuar përgjatë historisë nga klubi katalan, që në 10 vitet e fundit. “Bulgranat” kanë qenë të pakonkurrueshëm në 4 edicionet e fundit e po kërkojnë të radhës (do të ishte rekord për futbollin spanjoll), për të përmbyllur një sezon që do të kishte qenë perfekt nëse do të triumfonin edhe në Champions, shkruan supersport.

Barcelona vjen në këtë finale ende me plagë të hapura (psikologjike) nga humbja 4-0 në “Anfield” ndaj Liverpoolit, që ndërpreu ëndrrën për Championsin e 6-të në histori. Triumfi në Kupë do të ishte mënyra më e mirë për të shuar, ndoshta përfundimisht, zërat për një largim të trajnerit Valverde.

Valencia, nga ana tjetër, vjen me një moral tepër të lartë, falë edhe suksesit në javën e fundit në fushën e Valladolidit, që e katapultoi përfundimisht në vendin e katërt, që i jep mundësinë të luajë në Champions sezonin e ardhshëm. Valencia nuk ka arritur të fitojë ndaj Barcelonës në 8 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet, megjithatë do të kërkojë të bëjë maksimumin për t’i befasuar katalanët në “Benito Villamarin”.

Formacionet e mundshme:  

Barcelona (4-3-3): Cillessen; Semedo, Lenglet, Piqué, Jordi Alba;  Sergi Roberto, Rakitic, Busquets, Vidal; Malcom, Messi, Coutinho.

Trajner: Ernesto Valverde.

Valencia (4-4-2): Domenech; Piccini, Garay, Gabriel Paulista, Gaya; Soler, Parejo, Kondogbia, Guedes; Rodrigo Moreno, Gameiro.

Trajner: Marcelino.