Onkologjia në vitin 2019 trajtoi rreth 4 për qind më shumë raste me kancer

Vitin 2019, Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po e përmbyll me një numër të madh të pacientëve me kancer.

Në krahasim me vitin e kaluar, në këtë klinikë ka pasur një rritje të numrit të pacientëve me kancer për rreth 3 deri 4 për qind.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se gjatë këtij viti janë ballafaquar me shumë probleme, por që kanë arritur të standardizuar mjekimin me kimioterapi.

“Viti 2019 që lëmë pas Klinika e Onkologjisë është ballafaquar me probleme të njëjta si viteve të kaluara, këtë vit kemi pasur rritje të numrit të pacientëve për diku 3-4 për qind  dhe kemi arritur me menaxhuar shumicën e rasteve. Kemi standardizua mjekimin me kimioterapi format 24 orë. Kemi futur më shumë Perfuzumab dhe në mënyrë të kompjuterizuar dhënien e kimioterapisë.”, tha Kurtishi.

Sipas Kurtishit, edhe në vitin 2019 tek femrat ka dominuar kanceri i gjirit, ku përgjatë një viti janë regjistruar rreth 380 raste.

“Viti 2019 sikurse vitin e kaluar pra dominon te femrat, kanceri i gjirit dhe këtë vit deri këto momente që flasim kemi regjistruar gati 380 raste me kancer të gjirit, por ky numër ndoshta mund të jetë pak më i lartë nga mungesa e evidentimit ndonjë rast ose nga trajtimet që mund  të bëjnë disa pacientë jashtë Kosovës, ose në institucione private por që mendojmë që ai numër është shumë i vogël”, tha më tej Kurtishi sipas të cilit rritja ka qenë 2-3 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Në krahasim me femrat, tek meshkujt ka dominuar kanceri i mushkërive. Mirëpo, onkologu thekson se këtë vit është vërejtur edhe një trend i rritjes së disa llojeve të kancereve më të rralla.

“Te meshkujt vazhdon të dominon kanceri i mushkërive dhe pastaj menjëherë vjen kanceri i zorrës së trash dhe kjo është trend i sëmundjeve në të gjitha vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian dhe kur është fjala për disa lloje të rralla të tumoreve që përpara kanë qenë më të rralla ditëve të fundit, ka shtim të tyre, siç është kanceri i pankreasit, kanceri i lukthit dhe kanceri i testiseve te meshkujt, sidomos te moshat ndër 30 vjet, pra kemi një ngritje të këtyre rasteve me këto sëmundje”, theksoi ai

Onkologu thotë se kjo mbetet një nga sfidat për vitin 2020 që t’i zbulojnë sa më herët këto sëmundje, në mënyrë që trajtimi të jetë më efektiv dhe më i mirë për të gjithë pacientët.

Një sfidë tjetër me të cilën janë ballafaquar pacientët me kancer në klinikën e Onkologjisë për një kohë, është edhe mungesa e ilaçeve.

Për këtë, Kurtishi thotë se kjo ka ndodhur sidomos gjatë bartjes së kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë në SHSKUK.

“Herë pas herë ka pasur mungesë të ilaçeve, sidomos gjatë bartjes së kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë në SHSKUK, mirëpo pastaj ajo është normalizuar dhe këto tre muajt e fundit furnizimi me barna ka qenë shumë i mirë shumë i rregullt dhe një përparësi e madhe e pacientëve këtë vit ka qenë që shumica e tyre kanë marrë në kohë terapinë, jo vetëm terapinë medikamentoze por edhe terapinë me rrezatim”, theksoi Kurtishi.

Sipas tij, në vitin 2020 do të përdoren disa barna të reja të cilat nuk kanë qenë deri më tani e të cilat janë pjesë e Listës Esenciale të Barnave.

“Gjë shumë e mirë është që për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të shtojmë edhe kapacitetet e radioterapisë edhe të kimioterapisë të përdorin forma më të avancuara të rrezatimit, forma më të mira të aplikimit të kimioterapisë sidomos me futjen në listë esenciale të barnave të disa ilaçeve të cilat këto vitet e fundit nuk kanë qenë e që janë pjesë e listës esenciale për vitin 2020”, tregoi Kurtishi.

Kurtishi thotë se mundohen të ofrojnë shërbime sa më cilësore për pacientët. Sipas tij, vetëm brenda 1 jave kryejnë deri 900 forma të ndryshme të shërbimeve në repartin e Kimioterapisë dhe mbi 600 persona marrin ilaçe kimioterapi.

“200-300 vizita, ndërkaq në shërbimin e radioterapisë në ditë marrin shërbim diku 100 pacientë, 80 prej tyre marrin mjekim kurativ që i themi mjekim me rreze me qëllim të shërimit të sëmundjes dhe 20 prej tyre marrin mjekim paliativ me qëllim të zbutjes së simptomave, pra brenda ditës në klinikën tonë mesatarisht edhe në repartin e kimioterapisë edhe radioterapisë e frekuentojnë gati rreth 250 pacientë që për kapacitetet që ne i kemi është e mbushur plot”, tha Kurtishi.

E në lidhje me këtë, ai tregoi se kanë bërë kërkesa të rrisin kapacietet, hapësirat dhe të kenë specializantë të rinj të do t’ua lehtësonin punën.

“Kemi bërë kërkesa që të rrisim edhe kapacitetet, hapësirat , kërkesa që të kemi specializantë të rinj në klinikën tonë, pasi që planifikojmë që këtë vit siç ju thash më herët, rrisim kapacitetet edhe të radioterapisë edhe të kimioterapisë. Kemi kërkuar që të kemi tre specializantë në Radioterapi dhe dy specializantë në Kimioterapi të cilët do të na bashkoheshin ekipit tonë dhe do të na ndihmonin shumë sidomos edhe në shërbimin 24 orë dhe shërbime të reja që planifikojmë”, theksoi onkologu.

Kurtishi krejt në fund, shpreson që në vitin 2020, të ketë sa më pak raste të reja me kancer.

“Vitet e ardhshme ne do të përpiqemi të bëjmë shërbime edhe më kualitative, më të mira dhe gjithmonë me qëllim të përmirësimit të jetës së pacientëve me këto sëmundje, duke u përpjek që ti zbulojmë sa më herët sëmundjet dhe duke i kombinuar format  e ndryshme të ilaçeve dhe format tjera të mjekimit që të rrisim kualitetin e jetës së pacientëve dhe të rrisim jetëgjatësinë e tyre”, përfundoi ai.