OKB: Sulmi ndaj kampit në Idlib, i neveritshëm

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e dënoi ashpër sulmin ndaj civilëve të pambrojtur, përfshirë njerëz të moshuar, gra dhe fëmijë, në një kamp të personave të zhvendosur në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të paktën 12 njerëz u vranë dhe qindra u plagosën nga një sulm me raketa në një zonë të banuar me njerëz në një kamp me tenda në fshatin Qah të Idlibit, i cili la të plagosur po ashtu katër punonjës humanitarë.

“Është e neveritshme që raketat goditën civilë pambrojtur, përfshirë njerëz të moshuar, gra dhe fëmijë që strehohen në tenda dhe strehimore të ndërtuara në një kamp për persona të zhvendosur brenda vendit”, tha në një deklaratë Zëvendëskoordinatori Rajonal Humanitar i OKB-së për Krizën në Siri, Mark Cutts.

“Ky incident i tmerrshëm duhet të hetohet në tërësi. Këto kampe janë vende ku njerëzit që kanë ikur tashmë nga dhuna kërkojnë siguri dhe strehim”, shtoi ai.

E drejta ndërkombëtare humanitare kërkon që të gjitha palët të bëjnë një dallim specifik midis civilëve dhe militantëve dhe të marrin masa paraprake të vazhdueshme gjatë kryerjes së operacioneve ushtarake për të shpëtuar civilët, shtoi Cutts.

“Orientimi i çdo sulmi ndaj civilëve është shkelje e së drejtës ndërkombëtare humanitare”, theksoi ai.

Cutts njoftoi se si rezultat i armiqësive, mbi 1.000 viktima civile, përfshirë qindra fëmijë, janë raportuar nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në veriperëndim të Sirisë që nga fundi i prillit.

Ai tha gjithashtu se janë verifikuar dhjetëra sulme kundër objekteve dhe punonjësve mjekësorë në gjithë Sirinë.

“Unë e dënoj këtë sulm të fundit në mënyrën më të fuqishme të mundshme. U bëj thirrje edhe një herë të gjitha palëve në konflikt të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile, në përputhje me detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut”, tha Cutts.