OKB: Sulmet amerikane në laboratoret afgane të drogës janë të “paligjshme”

Sulmet ajrore në disa laboratore të drogës të talibanëve në perëndim të Afganistanit kanë lënë të vdekur të paktën 30 civilë, duke përfshirë fëmijë, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se kanë të dhëna të besueshme edhe për 30 vdekje tjera në muajin maj, mirëpo nuk i kanë verifikuar ato.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë shënjestruar disa laboratore të drogës të talibanëve, përmes së cilave militantët talibanë kanë siguruar fonde.

Mirëpo sipas Kombeve të Bashkuara, këto laboratore dhe punëtorët e tyre nuk mund të shpallen ligjërisht si shënjestra.

Forcat amerikane kanë qëlluar më shumë se 60 zona të prodhimit të drogës në provincën, Farah dhe provincën tjetër Nimroz në muajin maj.

Një delegacion i OKB-së që ka vizituar zonën e sulmeve dhe ka kryer intervista të drejtpërdrejta me banorët, ka arritur të konfirmojë vdekjen e 39 personave, duke përfshirë 14 fëmijë në mesin e të vdekurve.

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar një pjesë të madhe të kohës së luftës në tentimet për të shkatërruar tregtinë e opiumit në Afganistan, duke shpenzuar rreth 1.5 milionë dollarë në ditë, në mes të periudhës 2001-2018 duke shënjestruar zona të prodhimit të drogave.

Talibanët në anën tjetër besohet se kanë fituar rreth 200 milionë dollarë në vit nga tregtia me opium.

SHPËRNDAJE