OKB: Rreth 300 të vrarë në Mali nga konfliktet e brendshme

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka bërë të ditur se të paktën 289 persona u vranë në 99 incidente gjatë këtij viti në Mali, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut të Komisariatit të Lartë (OHCHR), konflikti i brendshëm në Mali ka rezultuar me vrasje të qindra personave dhe zhvendosje të mijëra të tjerëve.

Në deklaratë thuhet se sulmet janë kryer nga “Dozos” (gjuetarët tradiconalë) dhe elementet e militantëve “Dogon” (një grup etnik në Mali) kundër banorëve Fulani (një grup tjetër etnik).

“Kjo dhunë në rritje në një pjesë të rajonit Mopti ka çuar në zhvendosje të gjerë të popullsisë civile tashmë të goditur, për shkak të mungesës së mbrojtjes dhe shërbimeve sociale bazë të ofruara nga shteti”, thuhet në deklaratën e OHCHR-së.

Ky raport i OKB-së përfshin se ka rreth 3.000 anëtarë të zhvendosur të Fulanit.

“Ne e përgëzojmë Qeverinë e Malit për përpjekjet që ka ndërmarrë për të ndërhyrë ndaj valës së dhunës në rajonin Mopti dhe i kërkohet të vazhdojë të marrë masa për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të rënda dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në rajon, nga forcat qeveritare, si një çështje urgjente”, qëndron në raport.

Disa grupe terroriste janë aktive në pjesën veriore të Malit, ku paqeruajtësit francezë, malianë dhe të OKB-së po kryejnë operacione kundër terrorizmit.

Tensionet në Mali shpërthyen në vitin 2012 pas një grushti të dështuar dhe një rebelimi Tuareg që së fundi lejoi militantët e lidhur me Al-Kaedën të merrnin pjesën veriore të Malit.

Në vitin 2015, një marrëveshje paqeje u nënshkrua midis qeverisë dhe disa grupeve kryengritëse.

Kontestet politike dhe të komunitetit vazhdojnë të nxisin tensione në veri të Malit, duke minuar kështu zbatimin e marrëveshjes së paqes.