OKB paralajmëron për katastrofën në Dera mes luftimeve

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, u bëri thirrje të gjitha palëve në konfliktin në Siri për t’i dhënë fund dhunës së përshkallëzuar në qytetin sirian Dera, përderisa mijëra civilë mbeten të bllokuar në shkretëtirë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mijëra civilë raportohen se kanë lëshuar shtëpitë e tyre drejt zonave në perëndim të Dera-s, duke përfshirë Nawa-n dhe Jassem-in, dhe drejt kufirit jordanez, shumë prej të cilëve mbeten të bllokuar në zonën e shkretëtirës, pa qasje në ushqime bazë dhe nevoja të ujit”, tha Hussein.

Më 26 qershor, Jordania njoftoi se kufiri i saj me Sirinë do të qëndrojë i mbyllur. Qyteti Dera, i cili ndodhet në kryqëzimin e Jordanisë, rajonin e okupuar të Golanit dhe Libanit, u shpall një zonë de-eskaluese në korrik të vitit 2017, kur u arrit një marrëveshje trepalëshe e armëpushimit, me SHBA-të, Rusinë dhe Jordaninë si garantues.

Komisioeri i lartë i OKB-së u bëri thirrje të gjitha palëve për të shmangur përsëritjen e gjakderdhjes dhe vuajtjeve të para më herët këtë vit në Gutën Lindore.

Duke vënë në dukje se mijëra njerëz janë larguar, Hussein theksoi “rrezikun e madh” se luftimet e intensifikuara do të shihnin shumë civilë të bllokuar midis forcave të regjimit sirian dhe aleatëve të tyre nga njëra anë dhe grupeve të armatosura të opozitës dhe DEASH-it nga ana tjetër.

Hussein tha se luftëtarët e DEASH-it që kontrollojnë zonën Yarmouk Basin në pjesën perëndimore të Dera-s nuk kanë lejuar civilët të lëshojnë zonat nën kontrollin e tyre.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dokumentoi të paktën 46 vdekje civile në disa qytete që nga 19 qershori, kur bombardimet dhe sulmet tokësore u përshkallëzuan në Dera.

“Kam folur për ironi mizore në Gutën Lindore duke qenë një zonë de-eskaluese dhe se si sjellja e kësaj lufte ka qenë krejtësisht e turpshme që nga fillimi dhe një njollë për të gjithë ne. Tani një tjetër zonë e supozuar de-eskalimi rrezikon të bëhet skena e viktimave civile në shkallë të gjerë. Kjo çmenduri duhet të përfundojë”, tha ai.