OKB: 70 milionë të zhvendosur është një shifër marramendëse

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve tha se bashkëndjen me mbi 70 milionë persona të cilët arratisen nga lufta, dëbimi dhe përleshjet, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në Ditën Botërore të Refugjatëve mendimet e mia janë me mbi 70 milionë gra, fëmijë dhe burra, refugjatë dhe persona të zhvendosur, të cilët janë detyruar të ikin nga lufta, përleshjet dhe dëbimi”, deklaroi Guterres.

Ai thekson se 70 milionë “është një shifër e madhe, dyfish më e madhe në krahasim me 20 vite më parë”.

Sipas tij, shumica e të zhvendosurve me dhunë janë nga Siria, Afganistani, Sudani i Jugut, Mianmari dhe Somalia.

Guterres po ashtu u përqendrua edhe në “humanizmin” e vendeve që kanë pranuar refugjatët.

“Ato gjithashtu përballen me sfidat e tyre ekonomike dhe çështjet e sigurisë. Ne duhet t’ua kthejmë mikpritjen e tyre me zhvillimin dhe investimet”, shtoi Guterres.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) raporton se 70.8 milionë njerëz në botë janë të zhvendosur me forcë, që do të thotë se numri është rritur për 2.3 milionë në fund të vitit 2017 dhe në fund të vitit 2018.

Në grupin e parë janë refugjatët, të cilët në vitin 2018 ishin 25.9 milionë. Në grupin e dytë janë personat e brendshëm të shpërngulur që janë 41.3 milionë dhe tre milionë kërkues të azilit.

Turqia është në mesin e vendeve që kujdesen për numrin më të madh të refugjatëve në botë, ku nga rreth 3.7 milionë pothuajse 3.5 milionë janë nga Siria.