Ohër, nisin punimet për rikonstruktimin e xhamisë pesëshekullore të Ali Pashës

Në Ohër kanë filluar punimet për ruajtjen dhe rindërtimin e Xhamisë së Ali Pashës, lokalitet historik nga shekulli XVI.

Xhamia, e cila gjendet në hyrje të çarshisë së Ohirt, sipas paralajmërimeve nga Myftinia e Ohrit, do të marrë pamjen dhe shkëlqimin e dikurshëm, njëlloj siç ka qenë kur është ndërtuar pesë shekuj më parë.

Drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Ohër, Tanja Paskali Buntasheska, thotë për Anadolu Agency (AA) se objekti është i mbrojtur me një vendim që nga viti 1968.

“Xhamia e Ali Pashës është një monument individual si të gjitha monumentet e tjera individuale, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për objekte të arkitekturës sakrale ose profane. Është përpunuar elaborat për rivlerësim, i cili është shqyrtuar nga një komision dhe në bazë të tij është marrë vendim i ri për shpalljen e monumentit individual. Në vendim thuhet se në objekt duhet të kryhen punë kërkimore dhe në bazë të këtyre punimeve kërkimore objekti të kthehet në gjendjen e tij origjinale siç ishte dikur. Në këtë objekt në vitet e fundit janë bërë disa ndërtime pa leje të cilat kanë qenë të papërshtatshme për xhaminë”, thotë Paskali Buntasheska.

Ajo thotë se aktualisht në xhami kryhen punë për ruajtje, ndërsa është rrënuar çdo gjë që është ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe që është në kundërshtim me arkitekturën e xhamisë. Do të bëhet ruajtje e plotë edhe e kupolës, arkitekturës dhe fasadës.

“Po e kthejmë xhaminë në gjendjen e saj origjinale. Në vend të tremes së mbyllur, i cili është ndërtuar nga kati i parë plus një kat, do të restaurohet trema e hapur me tre kupola, e tillë siç ka ekzistuar dikur. Do të bëhet dhe rindërtimi i minares që ka ekzistuar. Ka fotografi dhe në bazë të fotografive të vjetra ekzistuese, ne kemi zhvilluar projektin dhe do të rindërtojmë minaren siç ka qenë. Sipas ligjeve tona, nëse ka të dhëna lidhur me atë se si ka qenë ndonjë objekt kur është ndërtuar, ai ka mundësi të restaurohet”, thotë Paskal Buntasheska.

Drejtoresha tha se projekti është zhvilluar sipas Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe në përputhje me parimet për ruajtjen e objekteve. Ajo tha se punimet i realizon një kompani turke dhe se ata kishin vetëm rolin e mbikëqyrjes.

Nga muzeu presin që deri në fund të vitit të ardhshëm të përfundojnë plotësisht të gjitha punimet dhe xhamia të rikthehet në gjendjen e saj origjinale.

Nga Muftinia e Bashkësisë Islame në Ohër thonë se Ohri në këtë mënyrë do të ketë një kompleks të tërë me një sipërfaqe prej 928 metrash katrorë. Ata shtojnë se projekti mbikëqyret nga përfaqësues të autorizuar të Muzeut në Ohër, ndërsa realizohet nga arkitektë nga Turqia.

Siç thotë Samet Ajdari, myftiu i Myftinisë së Ohrit, Myftinia e Ohrit, në bashkëpunim me Muzeun në Ohër dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Qeverisë së Turqisë, janë në zhvillim e sipër të këtij projekti të Xhamisë së Ali Pashës, i cili do të jetë një kompleks me të cilin do t’i kthehet origjinaliteti xhamisë që ishte ndërtuar në shekullit XVI.

Faza e parë parasheh ndërtimin e minares dhe tremes në gjendjen origjinale. Faza e dytë parasheh ndërtimin e objekteve të tjera, siç është shatërvani.

Mbetjet e minares gjenden në pjesën jugore të xhamisë. Ajo u rrënua në vitin 1912 dhe deri më sot nuk është rinovuar. Ndër të tjera, Xhamia e Ali Pashës është ndërtuar nga guri dhe tulla të pjekura.

Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) njoftojnë se pas hapjes, xhamia dhe i tërë kompleksi do të jetë i hapur jo vetëm për qytetarët e qytetit, por edhe për vizita nga të gjithë turistët vendas dhe të huaj të cilët vizitojnë qytetin.

Xhamia e Ali Pashës në periudhën deri më tani ka qenë e hapur për besimtarët. Ajo ka kapacitet për rreth 300 besimtarë dhe në të falet namazi pesë herë gjatë ditës.

Ndryshe, i gjithë projekti është realizuar me mjete të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Qeverisë së Turqisë.

– Historia e Xhamisë së Ali Pashës

Drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Ohër, Tanja Paskali, thotë se sipas disa të dhënave historike dhe sipas karakteristikave arkitektonike, xhamia është ndërtuar në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.

Siç tha ajo, në kuadër të xhamisë në vitin 1823 është ndërtuar edhe medrese, e cila sot nuk ekziston. Mbetjet e minares gjenden në anën jugore të xhamisë dhe sot e kësaj dite ka mbetje të piedestalit të minares në lartësi prej 6.5 metrash.

Paskali tha se minarja ishte rrënuar në mes të vitit 1912 dhe 1918 dhe asnjëherë deri më sot nuk është rinovuar. Sipas tregimeve të banorëve të vjetër, minarja me lartësinë dhe elegancën e saj ka dominuar në çarshinë e Ohrit. Ajo është ndërtuar me tulla.

“Në ‘Udhëpërshkrimin’ e tij, Evlia Çelebiu ka thënë se në Ohër ka ekzistuar xhami me dy minare dhe ndoshta kjo ka qenë ajo xhami. Mbase minarja tjetër ka qenë vetëm themel mbi të cilin asnjëherë nuk është ndërtuar minarja, dhe për këtë arsye nuk shihet në fotografitë e vjetra”, thotë drejtoresha e muzeut, Tanja Paskali.