Ofertë nga Greqia, a do të jetë ky klubi i ri i Sadikut?

Pas Kristi Vangjelit i cili mbajti veshur për shumë vite fanellën e Aris në Superligën greke një tjetër futbollist i kombëtares shqiptare mund të bëhet pjesë e klubit selanikas.

Sipas asaj që raportojnë mediat greke dhe më konkretisht novasports.gr, Armando Sadiku po ndiqet me vëmendje nga klubi i sapo ngjitur në elitën e futbollit helen.

Drejtuesit e Aris kërkojnë ta përforcojnë skuadrën me një sulmues cilësor në këtë merkato për të përballuar me sukses kampionatin grek dhe sipas tyre Sadiku ka profilin e duhur për të mbajtur mbi shpatulla peshën e sulmit të skuadrës.

Në të shkuarën për Sadikun është interesuar edhe Panathinaikos por marrëveshja nuk u konkretizua. Lojtari i përfaqësues kuqezi me shumë gjasa do të largohet nga Levante në këtë merkato, transmeton “SS”.

Por problemi për Arisin qëndron te fakti se në drejtim të 27-vjeçarit nga Cërriku kanë mbërritur një sërë ofertash dhe për momentin favorite për të marrë shërbimet e Sadikut qëndron skuadra e Superligës turke Rizespor. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë Sadiku për të ardhmen e tij por Aris është një opsion i shkëlqyer.