Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kinë rritet në 1.380

Numri i vdekjeve në Kinë nga koronavirusi i ri, zyrtarisht i njohur si COVID-19, ka arritur në 1.380, ndërsa numri i konfirmuar i të prekurve nga ky virus vdekjeprurës ka arritur në 63.851, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raportojnë mediat lokale, zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë se ditën e enjte u raportuan 121 vdekje dhe 5.090 raste të reja të infeksionit nga koronavirusi i ri.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë tha se shumica e vdekjeve u raportuan në provincën Hubei, ku në muajin dhjetor u shfaq për herë të parë sëmundja, më saktësisht në kryeqytetin e provincës, në Wuhan.

Thuhet se 10.204 pacientë janë në gjendje të rëndë, ndërsa 6.723 pacientë janë shëruar pas trajtimit.

Nga ky virus po ashtu u raportuan dy vdekje jashtë Kinës, një në Filipine dhe një në Japoni. Një person tjetër në rajonin autonom të Kinës, në Hong Kong, po ashtu humbi jetën.

Gjithsej 505 raste të virusit COVID-19 janë raportuar në të gjithë globin, pasi virusi u përhap në mbi 20 vende, përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Kanadanë.

Dy spitale të reja po ashtu janë ndërtuar në Kinë në një kohë rekord prej 10 ditësh për të trajtuar pacientët.

Thuhet se virusi është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, kanë evakuuar qytetarët e tyre nga zonat e prekura të Kinës, duke i vendosur ata në një kujdes mjekësor të izoluar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e këtij virusi e ka shpallur emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.