Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kinë rritet në 1.869

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga shpërthimi i koronavirusit të ri në vend, tashmë zyrtarisht i njohur si COVID-19, është rritur në 1.896, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet thanë se gjithsej 72.436 raste të konfirmuara janë raportuar me këtë virus, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit 98 persona kanë humbur jetën dhe 1.886 raste të reja janë zbuluar.

Jashtë Kinës, numri i të zbuluarve me koronavirusin e ri është regjistruar 60 në Hong Kong dhe dhjetë në Macau. Të dy vendet janë rajone të veçanta administrative.

Numri i personave që janë nën vëzhgim mjekësor ka shënuar një rënie, përkatësisht në 141.552.

Virusi COVID-19 thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.

Ky virus është përhapur në mbi 20 vende të tjerë, përfshirë në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Singapor, Francë, Rusi, Spanjë dhe Indi.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, kanë evakuuar qytetarët e tyre nga qyteti kinez Wuhan, ku dhe në muajin dhjetor për herë të parë u shfaq virusi, si dhe nga zona të tjera të prekura të Kinës duke i vendosur ata nën karantinë dhe vëzhgim mjekësor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin e virusit COVID-19 një emergjencë shëndetësore.