Nuk lejojmë që përmes dhunës të na ndryshohet orientimi politik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quintit me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Veseli i ka falënderuar ambasadorët për mbështetjen e vazhdueshme që shtetet e tyre po i japin qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

“Gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të Quintit, ritheksova përkushtimin tonë institucional, për rrugën drejt integrimit euroatlantik. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj, janë të sigurt dhe nuk lejojnë që përmes dhunës t’ju ndryshohet orientimi i tyre politik. Demarkacioni dhe temat tjera me rëndësi për Kosovën, do të trajtohen në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në bazë të procedurave demokratike. Vullneti ynë për të ecur përpara, është i pacenueshëm. Jemi falënderues ndaj miqve që na ndihmojnë në këtë rrugëtim”, ka thënë kryetari Veseli.

Në këtë takim, ambasadorët e vendeve të Quintit e konfirmuan edhe njëherë mbështetjen për shtetin e Kosovës dhe institucionet në punën e tyre, duke i dhënë mbështetje të gjitha proceseve demokratike në përmbushjen e agjendës politike për zhvillimin e vendit dhe integrimit në institucionet veri atlantike.