“Nuk kam mëri” – Bashkëshorti i viktimës thotë se e fal terroristin e Zelandës

Farid Ahmad, bashkëshortja e të cilit (Husna Ahmad) u vra në sulmin terrorist në Zelandë të Re thotë se nuk ka urrejtje ndaj terroristit Brenton Tarrant, duke thënë se falja është mënyra më e mirë për të vazhduar përpara.

Sulmi terrorist në Christchurch të Zelandës të re, ku në dy xhami u vranë 49 myslimanë teksa faleshin ka tronditur botën.

Por, është një person, Farid Ahmad ai që me deklaratën e tij ka befasuar të gjithë.

“Do i thosha atij se e dua si person”, deklaroi Ahmad për AFP, transmeton Koha.net. “Nuk mund të pranoj se çfarë ka bërë ai. Ajo që ai ka bërë është gabim. Sigurisht, gjëja më e mirë është falja, bujaria, dashuria dhe kujdesi, pozitiviteti”, deklaroi Ahmad kur u pyet nëse e fal sulmuesin.

Ahmad dhe gruaja e tij Husna kanë emigruar nga Bangladeshi në Zelandë në vitin 1990 dhe kanë një vajzë.

Kur kishte filluar sulmi, Husna kishte ndihmuar shumë gra e fëmijë që të shpëtojnë. Madje, ajo vdiq duke tentuar që të kujdeset për Faridin.

“Ajo u kthye për të më parë mua, pasi që isha në karrocë dhe përderisa po i afrohej derës, ajo u godit nga arma. Ajo ishte shumë e zënë duke shpëtuar jetë sa që e harroi veten”, shtoi Farid.

Farid është në karrocë që kur u godit nga një shofer i dehur në vitin 1998.

Pavarësisht gjithë kësaj, Farid beson se Brenton mund të bëhet një person i mirë.

“Dua t’i them atij se ai ka potencial të madh që të jetë një person bujar, të jetë një person i mirë, një person që do të shpëtonte njerëzit, të shpëtonte njerëzimin në vend se t’i shkatërrojë ata”, theksoi Ahmad.

“Dua që ai ta kërkojë qëndrimin pozitiv tek vetja, dhe lutem e shpresoj se ai do të jetë një qytetar i mrekullueshëm një ditë. Nuk kam mëri”, përfundoi Ahmad.