Nuhiu dhe Ujkani: Duam fitoren me Malin e Zi, e kemi finale

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu dhe portieri Samir Ujkani dolën në konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen miqësore me Gjibraltarin dhe eliminatoren me Malin e Zi. Futbollisti i Sheffield Wednesday tha se i respekton kundërshtarët dhe kërkon që në çdo ndeshje Kosova të luajë me mentalitetin e fituesit, shkruan supersport.

“Shpresojmë të kemi rezultat të mirë edhe me Malin e Zi. Ndeshja ndaj Gjibraltarit është test dhe parapërgatitje për Malin e Zi. Në Podgoricë kemi treguar cilësitë tona, por Mali i Zi ka ekip të fortë. Gjithsesi, ne luajmë në shtëpi ku e kemi përkrahjen e madhe të shikuesve. Do të futemi me mentalitet fituesi dhe duam të marrim pikët e plota. Edhe ndaj Malit të Zi do të luajmë me filozofinë dhe mentalitetin që e kishim deri më tash”. 

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, takimin kualifikues ndaj Malit të Zi e konsideron finale.

“Besoj që jemi në gjendje të mirë. Jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen me Malin e Zi, që është si një finale për ne. Por, fillimisht të enjten e kemi Gjibraltarin, që është një test i mirë para kësaj ndeshjeje të madhe. Jemi optimistë për të vazhduar me ritmin e duhur. Ka ardhur koha që të provohen edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë në ekip dhe të gjithë duan të tregojnë se janë të gatshëm. Për ne, çdo ndeshje është si finale dhe nuk duhet të shikojmë shumë tabelën. Duhet të provojmë të fitojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund”.