Njeriu i parë në Hënë, 50 vite nga misioni ‘Apollo 11’

50 vite pasi raketa e nisur nga Florida dërgoi njerëzit e parë në Hënë, një veteran i ekuipazhit të “Apollo 11”, kthehet në platformën e lancimit për të kujtuar dhe nderuar hapin gjigant për njerëzimin, që u bë një moment vendimtar dhe përcaktues në histori.

“Ne ekuipazhi, ndjenim peshën e botës mbi shpinë, e dinim se të gjithë i kishin sytë tek ne, miqtë dhe armiqtë”,  thotë veterani Michael Collins.

Michael Collins dhe piloti i modulit, Buzz Aldrin, janë dy pjesëtarët e vetëm ende në jetë të atij misioni që do të ndryshonte mënyrën se si njerëzimi e shihte vendin e tij në univers.  Komandanti i tyre, Neil Armstrong, njeriu i parë që shkeli në hënë, u nda nga jeta në vitin 2012, në moshën 82-vjeçare.

Anijes iu deshën katër ditë për të arritur në Hënë, para se moduli i njohur si ‘Eagle’, preku sipërfaqen e hënës më 20 korrik 1969. Armstrong doli disa orë më pas, duke zbritur ngadalë nga një shkallë e duke vendosur këmbën në tokën hënore, shoqëruar me frazën e pavdekshme; ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin.

Kollins kish qëndruar në orbitën hënore, duke komanduar modulin ‘Columbia’, mjetin e vetëm që mund t’i kthente ata në tokë. Janë 12 njerëzit që kanë shkelur në hënë që nga ajo kohë, me vetëm katër prej tyre ende gjallë. Asnjë qenie njerëzore nuk është kthyer në hënë që nga 1972, viti i fundit i misionit ‘Apollo’.

Presidenti Xhorxh Bush i vjetri premtoi se do ta bënte këtë në 1989, po ashtu edhe i biri në 2004. Por ende asgjë. Presidenti Donald Trump tani ka rindezur garën për të ripushtuar hënën, këtë herë me të parën grua dhe për të udhëtuar madje më tej, drejt marsit. Por, vitet e përcaktuara si afate respektivisht 2024 dhe 2033, duken si jo realistë dhe kanë shkaktuar telashe në agjencinë hapësinore amerikane.