“Një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”, protestohet kundër vizitës së Vuçiqit në Tiranë

Në Tiranë aktualisht është duke u zhvilluar një protestë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq do të qëndrojë në Shqipëri me qëllim të mbajtjes së takimit të Mini-Shengenit.

Disa qytetarë janë mbledhur para një hoteli me pankarta në dorë përmes të cilave e quajnë presidentin serb kriminel lufte, shkruan gazeta serbe ‘Blic’, përcjell lajmi.net.

“Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”, “persona non grata”, janë shkrimet e disa pankartave.

Samiti i Mini-Shengenit do të mbahet nesër në kryeqytetin shqiptar ku do të takohen kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Një mbledhje e tillë u mbajt për herë të parë në Novi Sad të Serbisë, pastaj në Ohër në Maqedoninë Veriore dhe kjo në Tiranë është e treta me radhë.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka refuzuar ftesën e Ramës për të marrë pjesë në këtë takim, duke thënë se Sebria është vendi i cili po e bllokon Kosovën në shumë procese.

Mini-Shengeni parashikon heqjen e pengesave për rrjedhën e mallrave, shërbimeve dhe lëvizjen e lirë.