Një “dhomë lufte” për t’u mbrojtur nga “hacker”-at dhe “fake news”

Në “dhomën e luftës” në Facebook, një ekip prej rreth 20 personash monitorojnë ekrane kompjuterike për ndonjë shenjë aktiviteti të dyshimtë.

Njësia e sapolançuar e Facebookut është qendra nevralgjike për luftën kundër keqinformimit dhe manipulimit të rrjetit më të madh social, nga aktorë të huaj që përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet në SHBA, apo në ndonjë vend tjetër.

“Puna jonë është të zbulojmë dhe të bllokojmë këdo që përpiqet të manipulojë debatin publik”, tha një prej monitoruesve.

Facebook është fajësuar në fakt se ka bërë shumë pak për të parandaluar përpjekjet për keqinformim nga Rusia apo vende të tjera në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, e tani duan që bota ta dijë se po ndërmerr hapa më agresive, me nisma si “dhoma e luftës”.

Një grup i vogël gazetarësh ishin të ftuarit e parë në “dhomën e luftës”, që pas provës së parë të suksesshme në zgjedhjet në Brazil, këtë muaj, po përvesh mëngët për zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, muajin e ardhshëm.

Me ekspertë në shkencat kompjuterike, sigurinë kibernetike dhe specialistë ligjorë, qendra po operon në një periudhë kyçe dhe planifikon 24 orë punë në 7 ditë të javës. Në kuadër të përpjekjes masive për rritjen e sigurisë, Facebook planifikon të shtojë edhe rreth 20 mijë punonjës.