NISMA emëron zv/ministër personin me dënim dhe akuza për korrupsion

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme emëroi zëvendësministrin e pestë në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Besnik Berisha, nga rradhët e Nisma Socialdemokrate me anë të një vendimi, u emërua dje në këtë pozitë, shkruan lajmi.net. Por, vetë Berisha në të kaluarën si zyrtar i ministrisë së Punëve të Brendshme kishte pasur mjaftë punë me gjykatat dhe drejtësinë. Ai nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ishte akuzuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Prokuroria pretendonte se Berisha kishte dhënë informacione konfidenciale lidhur me prodhimin e dokumenteve dhe shenjave elementare të sigurisë së pasaportave biometrike – vendosjen e çipit, mënyrën e lansimit dhe qepjen e tyre. Këtë, Berisha akuzohej se e kishte bërë në “Interaktiv” të KTV-së më 4 shkurt 2015. I njëjti për veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, ndërkaq që ishte liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Rast tjetër për të cilin Besnik Berishës i kishte dalë punë me drejtësinë, është skandali i pasaportave. Natali Veliaj, e dënuar në këtë rast, në një intervistë të mëhershme thoshte se Besnik Berishës i kishte dhënë plotë 650 mijë euro. Sipas saj, Berisha këto para i kishte ndarë me zyrtarë të tjerë të ministrisë. Vetë zëvendësministri i ri i Punës dhe Mirëqenies Sociale për lajmi.net tha sot se nuk ka qenë i akuzuar për vepra të tjera penale, përveq asaj në të cilën është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht. Ai thotë se për rastin e pasaportave ka qenë vetëm në cilësinë e dëshmitarit. “Unë kam qenë në cilësi të dëshmitarit në këtë rast kur janë dënuar 12 persona tjerë që kanë qenë të përfshirë. Unë nuk kam qenë i dënuar as për rastin e pasaportave e as për atë të keqpërdorimit të detyrës”, ka thënë Berisha për lajmi.net. Berisha thotë se edhe për dënimin me gjashtë muaj burgim ka dërguar ankesë në Apel, dhe se nga ajo pret përgjigje pozitive. Pretendimet e Natali Veliajt i hedh poshtë avokati i tij, Skender Musa. Ai për lajmi.net tha se Veliaj nuk e ka përmendur në asnjë rast Besnik Berishën. Sipas tij, në procedurë parapenale është vërtetuar se Berisha nuk ishte i përfshirë në skandalin e pasaportave. “S’ka pas asnjë aktvendim tjetër. Sa i përket rastit të Natali Veliajt, nuk është zhvilluar procedurë penale kundër tij. Në procedurë parapenale është vërtetuar se ai nuk ka qenë fare i përfshirë. Në rastin e Natali Veliajt ka qenë vec dëshmitar dhe në asnjë rast Natali Veliaj në gjykatë nuk ka thënë se ka pasur kontakt me Besnik Berishën”, ka thënë Musa. Vetë Berisha, ka bashkëngjitur aktvendimet në bazë të së cilave ai thotë se është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës, si dhe në rastin e pasaportës ku ai thotë se ka qenë vetëm dëshmitar. Megjithatë, në kundërpërgjigjen e tij, ai nuk ka publikuar aktvendimin në të cilin është dënuar me gjashtë muaj burgim për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Në lidhje me emërimin e Besnik Berishës në këtë pozitë, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës, mirëpo që deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.