Nisin dorëheqjet nga PSD-ja, i pari Dardan Sejdiu, paralajmëron një rrugëtim të ri

Dardan Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Partinë Socialdemokrate.

Sejdiu ka thënë se do të përkrah strukturat e reja në PSD, por që më nuk do të jetë pjesë e këtyre strukturave.

Me një status në Facebook, ish-shefi i grupit parlamentar të PSD-së e ka uruar Vetëvendosjes për fitoren në zgjedhje.

Në fund, Sejdiu paralajmëron një rrugëtim të ri, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Më lejoni që edhe njëherë të shprehi falenderimin tim të thellë, jo vetëm për daljen massive në zgjedhjet e 6 tetorit, por edhe për edukatën e lartë qytetare që solli një standard të ri demokratik në Republikën e Kosovës. Në këto zgjedhje ju folët përmes aktit më sublim demokratik – votimit. Ndërsa që nga sot, pas shpalljes së rezultateve nga KQZ, vota juaj do të flas përmes konstituimit të ri parlamentar që do të dal prej çertifikimit të zgjedhjeve nga KQZ nesër. Me këtë rast, më lejoni që gjithashtu t’i falenderojë fituesin e zgjedhjeve duke ju uruar punë të mbarë dhe të suksesshme.

Rrugëtimin tim politik pothuajse 10 vjeçar unë e kam shtruar mbi dy parime themeltare të cilave ju kam qendruar gjithmonë besnik. Ato janë vlerat universale progresiste të barazisë, solidaritetit dhe drejtësisë, dhe zhvillimi ekonomik socialdemokrat që në qendër të saj vë shumicën që ka pak. Këto parime më kanë drejtuar politikisht në mënyrë që unë ato ti drejtoj institucionalisht.

Në zgjedhjet e 6 Tetorit ju folet, madje më zë të lartë. Sot, pas shpalljes zyrtare të rezultateve, unë nuk mund që t’ju injoroj. Përkundrazi, votën tuaj unë e ndëgjova me vëmendje të lartë dhe sinqeritet të plotë. Për t’ju përgjigjur kësaj, unë që nga sot jap dorëheqje të plotë nga pozitat e mija brenda strukturave të Partisë Socialdemokrate duke marr përgjegjësinë si shef i grupit parlamentar dhe anëtar i kryesisë.

Duke besuar thellësisht se socialdemokracia është e vetmja rrugë përpara, dhe Partia Socialdemokrate duhet të jetë strumbullar i politikave socialdemokrate, unë do të jem në përkrahje të plotë të strukturave të reja partiake por jo në funksione vendimmarrëse. Por, më lejoni të theksoj se dorëheqja ime nuk është dëshpërim, apo për të parafrazuar poetin anglez J. R. R. Tolkien “dëshpërimi është vetëm për ata që shohin fundin përtej çdo dyshimi.”. Unë nuk e shoh. Ajo çfarë unë shoh është guximi dhe shpresa… dhe e ardhmja.

Për fund, më lejoni që ti falenderojë të gjithë kolegët dhe koleget, shoqet dhe shokët, familjen, dhe të gjithë të tjerët që më mbështetën në kohë të vështira dhe në momente gëzimi, në këtë rrugëtim timin politik.

Përtej politikës, jeta do të vazhdoj, ku do ti përkushtohem me vullnet të plotë punës sime profesionale dhe kryeqytetit. Ajo çfarë do të mbetet e njëjtë është përkushtimi im në mbrojtjen e parimeve të mija themeltare për barazi dhe drejtësi shoqërore e solidaritet të plotë me të shtypurit.

Ju falenderojë edhe njëherë, e mirëupafshim në rrugëtimin e ri” shkruan Sejdiu në njoftim.