Nis Samiti i G7, Macron i bindur për zgjidhje ndaj luftës tregëtare

Sot në Biarritz të Francës ka nisur samiti i G7. Presidenti i vendit pritës, Emanuel Macron është shfaqur optimist në nisje të samitit duke deklaruar se do ti bindte liderët më të fuqishëm të botës që t’i japin fund luftës tregtare e cila po destabilizon ekonominë botërore.

“Dua t’i bind të gjithë partnerët tanë se tensionet, sidomos ato tregtare, nuk janë të mirë për asnjë prej nesh. Nuk duhet të lejojmë një përshkallëzim të mëtejshëm dhe duhet të shmangim këtë luftë tregtare. Duhet të gjejmë mënyra të reja për të stimuluar rritjen ekonomike”, tha presidenti francez.

Macron tha se në krye të bisedime do të mbetet çështja e zjarreve në Amazonë.

“Amazona është e mira jonë e përbashkët. Zjarret na prekin të gjithëve dhe neve më shumë se të tjerët në këtë takim. Të gjitha fuqitë botërore bashkë duhet të nisim një aksion jo vetëm për shuarjen e zjarreve por edhe për të investuar në këto pyje”, shtoi shefi i Elizesë.

Takimi i parë në resortin Du Palais në rivierën franceze, presidenti Macron do ta zhvillojë me homologun amerikan Donald Trump.

“Ne kemi shumë të përbashkëta, unë dhe Emanuel jemi miq për një kohë të gjatë, merremi vesh mirë. Mund të them se kemi një marrëdhënie speciale”, deklaroi Trump duke shtuar se “Do të arrijmë shumë këtë fundjavë”.

Takimi 3 ditor i 7 vendeve më të industrializuara të botës pritet të dominohet nga diskutime mbi çështjen e luftës tregtare, marrëdhëniet me Iranin dhe ndryshimet klimaterike. /Opinion.al