Nga një iniciativë studentore në 250 mijë protestues në shesh. Kërkohet dorëheqja e kryeministrit

Nisi si një iniciativë studentore nga një grup të rinjsh që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Andrej Babis, por dje në Pragë të Republikës Çeke protesta mori një tjetër dimension ku, sipas organizatorëve, më shumë se 250 mijë njerëz iu bashkuan thirrjes për largimin e kreut të Qeverisë. Mbi 400 mijë janë nënshkrimet në një peticion ‘online’ ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit.

Babis po hetohet penalisht për shkak të akuzës se ka abuzuar me rreth 2 milionë euro subvencione nga Bashkimi Evropian, 10 vite më parë. I kosideruar si njeriu i dytë më i pasur në Çeki, Andrej Babis i ka mohuar akuzat.

Gjithsesi, protestuesit të udhëhequr nga grupi Miliona Momente për Demokraci kërkojnë dorëheqjen dhe hetime të pavarura ndaj kryeministrit. Protesta e së dielës konsiderohet si më e madhja që pas rënies së komunizmit në Çeki, më shumë se 30 vite më parë.

Edhe pse presioni është rritur, kryeministri Babis refuzon të japë dorëheqjen. Të mërkurën, Qeveria e tij do të përballet në Parlament me një mocion mosbesimi.

Top Channel