Nga Londra në Baku, “shpërthejnë” tifozët anglezë: Shumë shpenzime, pak bileta

Aksi Londër-Liverpool është kthyer në protagonistin kryesor të futbollit europian, gjë që tregon edhe dominimin total të anglezëve këtë sezon, të cilët do të luajnë fillimisht finalen e Europa League dhe më pas atë të Champions League. Bëhet fjalë respektivisht për ndeshjet Arsenal-Chelsea dhe Tottenham-Liverpool.

Por këto dy destinacione të Anglisë i bashkon edhe një tjetër gjë së fundi: indinjata për zgjedhjet e bëra nga UEFA sa i përket biletave për të dyja sfidat. Tifozët e Chelseat dhe Arsenalit, për shembull, ndihen shumë të irrituar sepse nga një distancë e shkurtër prej vetëm pak kilometrash brenda qytetit, do të duhet të udhëtojnë me mijëra kilometra për të zhvilluar finalen në Baku të Azerbajxhanit. Motivi është tërësisht financiar, me kostot tejet të larta për këtë “transfertë”, për të cilën nga krahu tjetër janë shumë pak bileta në dispozicion.

Pavarësisht se kryeqyteti i Azerbajxhanit ka një stadium prej 68 mijë e 700 vendesh, dy klubeve londineze u janë rezervuar vetëm 6.000 bileta secila. Duke lënë mënjanë koston e biletave, që dihet se janë të kripura në etapën e fundit të kompeticionit, klubet kanë përllogaritur një nevojë shpenzimi prej të paktën 1.000 eurosh për person për mbërritjen në Baku. Për këtë transfertë nuk ekzistojnë linja direkte nga Londra në kryeqytetin azer, ndërsa mjetet e tjera si automjetet apo trenat do të ishin tejet të rrezikshëm apo aspak praktikë për këtë distancë të gjatë.

Disi më mirë paraqitet situata për tifozët e Liverpoolit dhe Tottenhamit, të cilët do të duhet të udhëtojnë drejt “Wanda Metropolitano”-s së Madridit. Stadiumi i Atleticos ofron 16 mijë bileta për secilin klub, nga 68 mijë vende kapacitet që ka. Tifozët, gjithsesi janë bërë bashkë nën një zë për të kërkuar më shumë transparencë për koston e udhëtimit dhe biletave, duke pretenduar se ka një rritje artificiale prej 840% në aksin Londër-Madrid, krahasuar me një udhëtim normal./tch