“Nga 10 mijë paund për çdo 25-vjeçar”

Të gjithë qytetarëve të lindur në Britaninë e Madhe duhet t’u jepet një shumë prej 10 mijë paund, si trashëgimi minimale universale në momentin kur ata mbushin 25 vjeç, me qëllim që të luftohet pabarazia.

Ky është propozimi i bërë nga një institut i njohur edhe në shkallë globale si “IPPR”-ja, apo Instituti për Kërkime mbi Politikat Publike.

Sipas tij, një reformë taksash dhe një shitje asetesh, përfshirë aksionet e qeverisë në Bankën Mbretërore të Skocisë, mund të ndihmonte në krijimin e një fondi pasurie të qytetarëve me vlerë 186 miliardë paund deri në vitin 2029-2030.

Ky fond do t’i jepte gjithkujt një mundësi dhe do të ndihmonte të rinjtë të investonin për të ardhmen e tyre, për shembull përmes blerjes së një prone, investimit në arsim apo nisjen e një biznesi.

Fondi do të ishte i mjaftueshëm për t’iu paguar të gjithë 25-vjeçarëve një divident të vetëm prej 10 mijë paund, duke filluar nga viti 2030.

Sipas “IPPR”-së, të rinjtë e pasur të Britanisë zotërojnë 44 për qind të pasurisë së vendit, ndërsa pjesa tjetër, e gjitha së bashku vetëm 9 për qind.

Më shumë se 70 qeveri në botë kanë fonde të pasurisë sovrane. Norvegjia investon të ardhurat e saj nga nafta në një fond pasurie sovrane, të ngritur në vitin 1990, që tani ka një vlerë prej më shumë se një trilion dollarë.

Një fond për pasurinë e qytetarëve do t’iu mundësonte qytetarëve, që në kolektiv të zotëronin një pjesë të pasurisë kombëtare të vendit dhe do të garantonte që të gjithë të përfitonin, jo vetëm ata që trashëgojnë ose që zotërojnë asete.