Nënshkruhet marrëveshja për hekurudhat mes Kosovës dhe Serbisë

Me ndërmjetësimin e të dërguarit special të presidentit Trump, Richard Grenell, është nënshkruar marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të cilën SHBA-të e kanë quajtur historike, ka ndodhur në Mynih të Gjermanisë, shkruan lajmi.net.

Pak para se të nis Konferenca e Sigurisë në Munih, presidentët e të dyja vendeve – Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq – kanë firmosur letrën e shprehjes së interesit për autostrada dhe letrën e shprehjes së interesit për hekurudha.

Përmes këtyre letrave, Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëri-tjetrin, ashtu si edhe me Europën.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe ujdinë – e cila erdhi befasishëm – për rihapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo dinamikë e re në raportet mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas angazhimit të drejtpërdrejtë të të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.