Negociatat për Shqipërinë, Merkel: Do i diskutojmë që në muajin Mars

Kancelarja gjermane, Angela Merkel zhvilloi një takim në Berlin me homologun kroat, Andrej Plenkoviç. Në koferencën të përbashkët për shtyp, Merkel ritheksoi mbështetjen e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, Merkel  tha ndër të tjera se është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave për dy vendet.

“Është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha ndër të tjera Merkel

Ajo kujtoi po ashtu se edhe Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, shtoi Merkel.

Kancelarja tha  se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, që në muajin mars./Opinion.al