Negociatat LDK – LVV në ngërç, LDK-ja tenton ta rritë pazarin

Pavarësisht se ishin zotuar se do ta nënshkruajnë koalicionin qeverisës menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ndasitë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila po kërkon pozitën e presidentit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk po pranon kushtëzime të tilla, dita-ditës po thellohen. Teksa negociatat mes dy partive mbeten të bllokuara, partitë nuk kanë caktuar ende datë për vazhdimin e tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Të premten u bën dy muaj prejse u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, teksa dy partitë më të votuara në këto zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, assesi të merren vesh. Derisa LDK-ja po vazhdon të insistojë në marrjen e ulëses së presidentit dhe në ndarjen e ministrive proporcionalisht me LVV-në,  LVV-ja është shprehur kundër kushtëzimeve të tilla nga ana e LDK-së. Mosmarrëveshje të tilla mes dy partive kanë bërë që bisedimet për krijimin e koalicionit, që do të qeveriste për 4 vjetët e ardhshëm, të bllokohen, shkruan tutje “Zëri”.

Lidhur me këtë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se ditëve në vijim pritet të vazhdojnë negociatat me LDK-në, teksa sipas tyre ende nuk ka datë të caktuar se kur do të ndodhë kjo, për shkak se kreu i LVV-së, Albin Kurti, ndodhet në një vizitë zyrtare në Gjermani.

Ndërsa përfaqësues të LDK-së, në anën tjetër, kërkesat e tyre për ndarje të barabartë të përgjegjësive me Vetëvendosjen i kanë quajtur legjitime. Kurse njohës të çështjeve politike i shohin si të padrejta kushtëzimet e LDK-së, teksa vlerësojnë se kjo po tenton ta rrisë pazarin me Vetëvendosjen. Mirëpo pavarësisht ngërçit të krijuar, ata besojnë se ekzistojnë zgjidhjet për mosmarrëveshjet e krijuara nëse ka vullnet nga të dyja palët.

SHPËRNDAJE