Në Viti drejtori i shkollës rrah nxënësin pa mëshirë (Video)

Rastet e dhunës së ushtruar ndaj nxënësve apo edhe profesorëve nëpër shkollat e Kosovës nuk janë të rralla.

Një rast i rrahjes së nxënësve ka ndodhur javën e kaluar në shkollën e mesme të ultë “Kenan Halimi” në fshatin Skifteraj të Vitisë.

Sipas videos së siguruar nga Indeksonline, shihet drejtori i shkollës M.M., duke rrahur pa mëshirë një nxënës.

Familjari i nxënësit të rrahur ka thënë për Indeksoline se drejtori ka rrahur dy nxënës, por në video shihet vetëm njëri.

“Nxënësit kanë shku me një fshat afër për të luajtu futboll dhe i kanë lënë çantat brenda në shkollë. Kur janë kthy pasdite nxënësit, ndërrimi i pasdites ka qenë duke mbajtur mësim. Dy nxënës kanë dashur t’i marrin çantat, por drejtori nuk i ka lënë të hyjnë brenda, janë sharë dhe ai ka filluar t’i rrah. Në video është nxënësi i klasës së 9-të R.I, duke u goditur nga drejtori i shkollës”, ka thënë ky familjar për Indeksonline, duke shtuar se për këtë i ka shkruar drejtorit edhe në Facebook, por që nuk ka marr përgjigje nga ai.

Për rastin, Indeksonline ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës M.M., i cili ka mohuar të ketë bërë një gjest të tillë.

“Nuk është e vërtet ajo që thoni. Jeni keqinformuar”, ka thënë ai, duke mos dashur të flas më shumë.

Kujtojmë se ky rast nuk është as i pari e as i fundit që dhuna në shkolla është prezent si nga stafi i shkollave apo edhe nxënësit. /Indeksonline/