Në Stamboll do të mbahet Konferenca Botërore e Automobilave

Me 11-12 tetor në Stamboll do të zhvillohet Konferenca e Katërt Botërore e Automobilave, ku do të diskutohen zhvillimet globale dhe trendet e reja në tregun e automobilave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të konferencës ku AA është partner i komunikimit global, përfaqësues të sektorit të automobilave vendas dhe të huaj do të mblidhen në hotelin İstanbul Hilton Bosphorus.

Mbi 50 folës nga Turqia, Amerika, India, Arabia Saudite, Republika Çeke, Serbia, Irani, Belgjika dhe Hungaria do të diskutojnë çështjet që do të drejtojnë të ardhmen e industrisë, se si do të ndikojnë në trendet globale në industrinë turke të automobilave, Industria 4.0, dhe pozicioni i Turqisë në dixhitalizim.

Gjithashtu në kuadër të konferencës do të diskutohen edhe çështjet si sistemet e zgjuara të transportit që do të përcaktojnë vizionin e industrisë, elektrifikimi, sistemet inteligjente të lëvizshmërisë, teknologjitë e së ardhmes, si automjetet pa shofer dhe automjetet elektrike.

Në Konferencën Botërore të Automobilave ku është përgatitur një platformë e veçantë me qëllim që sipërmarrësit të promovojnë veten dhe projektet e tyre, do të takohen në një program edhe përfaqësueset femra.

Pritet që në konferencën e cila do të zgjasë dy ditë të jenë të pranishëm mbi 500 pjesëmarrës duke përfshirë edhe përfaqësuesit nga 40 vende. Gjithashtu parashikohet se interesi më i lartë do të paraqitet nga përfaqësuesit e sektorit nga Irani ku deri më tani kanë ardhur edhe më shumë kërkesa për regjistrim.

Planifikohet që edhe zyrtarët e 14 prodhuesve të automobilave në Turqi si Ford Otosan, Toyota, BMC, Otokar, Isuzu, Renault, Karsan, Tofaş, Honda, Hyundai, Daimler, MAN, Temsa dhe Hattat, të marrin pjesë në faza të ndryshme të aktivitetit.