Në shenjë të 500-vjetorit të themelimit të bibliotekës së parë në Kosovë

Shkruan: Dr. Sadik MEHMETI

Nga koha kur trevat tona drejtpërdrejtë janë njohur me fjalën e shkruar islame-orientale, nga shek. XIV e deri më sot, ajo ka pasur një përvojë, traditë dhe përmbajtje shumë të pasur. Të shtyrë nga aspekti shpirtëror dhe nga nevoja praktike, shumë intelektualë e dashamirë të fjalës së shkruar, shumë bamirës e vakëflënës tanë, që herët kanë filluar mbledhjen, ruajtjen dhe shumimin e fjalës së shkruar, vend koncentrim i së cilës qenë bërë, në radhë të parë xhamitë, mektebet, medresetë, teqetë, shtëpitë private dhe, natyrisht, edhe bibliotekat/kutubhanet, të cilat, siç është dëshmuar, në tokat shqiptarepërgjithësisht nisin me më të vjetrën bibliotekë publike – atë të Medresesë së Is’hak beut në Shkup, e ngritur rreth vitit 1411 dhe e vakëfnuar në vitin 1444, për t’u ndjekur edhe nga shumë biblioteka të tjera në qendra të ndryshme, të cilat kanë ndikuar dukshëm në zhvillimin kulturor dhe në ngritjen arsimore të popullatës myslimane të këtyre anëve.

Këtu e pesë shekuj më parë, edhe në Kosovë, imami, mësuesi, poeti, historiani, kronisti, bamirësi dhe vakëflënësi i madh, themeluesi i shkollës së parë në Kosovë, ndërtuesi i xhamisë që do të bartë emrin e tij dhe i shumë hajrateve të tjera, Suzi (Pir)Zerini, – ashtu siç kishin bërë sivendësit e tij dekada më parë në Shkup (Is’hak beu, në vitin 1411, dhe djali i tij Isa beu, 1469), në Manastir (Ishak Çelebiu, 1430), në Ohër (Jusuf Çelebiu në vitin 1491), – qytetit të tij të lartë e të dashur – Prizrenit, do t’ia dhurojë kutubhanen e parë, jo vetëm në këtë qytet po edhe në tërë Kosovën. Sipas shembullit të Suziut, edhe Mehmet Kukli-begu e ngriti një bibliotekë të tillë në afërsi të Prizrenit, në Bresanë të Opojës para vitit 1538, kurse më 1573, po në Prizren, Gazi Mehmed Pasha themeloi një bibliotekë tjetër me një fond mjaftë të pasur me “Mus’hafe” e “qitape”, që ekziston edhe sot e kësaj dite. Po kështu kishte vepruar edhe pesë herë sadrazemi i Perandorisë Osmane, Koxha Sinan Pasha, i cili Kaçanikut para vitit 1586 i kishte ndërtuar një bibliotekë, për t’u shtuar numri i tyre në dekadat e shekujt e më vonshëm. Për shumë nga këto biblioteka dimë falë dorëshkrimeve, – ndonëse shumë të pakta nga ai mal që ka ekzistuar dikur, – që kanë arritur deri në ditët tona.

Kush është themeluesi i bibliotekës së parë në Kosovë

Biografët e Suziut (A. Olesnicki, F. Babingeri, S. Frashëri, J. v. Hammer, H. Kaleshi, M. Mujezinoviç etj.) thonë se rreth vitit 1455 dhe 1465 lindi Muhamedi i biri i Mahmudit të birit të Abdullahut, nga Prizreni, i njohur dhe i popullarizuar me emrat dhe pseudonimet poetike, ndër njerëz dhe në literaturë, si Suziu, Soziu, Sozi Baba, Suzi Çelebiu, Mevlana Suzi, Suzi Zerrini, Suzi Prizrenasi etj.

Më tutje, biografët thonë se Suziu u lind, u rrit dhe u edukua në Prizren, se pas mbarimit të shkollimit fillor në Prizren, studimet e larta i mbaroi në Stamboll, se punoi për njëfarë kohe edhe si kadi, dhe se ka kryer edhe detyrën e myezinit, imamit, hatibit, mualimit etj.. Nga ajo që ka lënë të shkruara vetë Suziu, shihet se ai kishte arritur arsimim dhe ngritje intelektuale të lartë, njihte shkëlqyeshëm gjuhën osmane, arabe dhe perse, por edhe gjuhët vendore të kohës. Shkrimet e tij të gjetura, të cilat ruhen në Zagreb, Berlin e qendra të tjera evropiane, vërtetojnë për shkallën e lartë intelektuale të Suziut.

Një pjesë të jetës së tij Suziu e kaloi si sekretar personal i njërit nga akinxhinjtë më të dalluar në Perandorinë Osmane – Ali Bej Mihaloglut. Këtë detyrë e kreu, ndonëse i shtyrë në moshë, edhe pas vdekjes së Ali bej Mihalogllut deri në vitin 1507 në Plevne të Bullgarisë, kur Ali beun e zëvendësoi biri i tij Mehmet beu. Tek Mehmet beu, Suziu nuk ndeji edhe për shumë kohë, sepse më 1513 Suziun e gjejmë të jetë kthyer në Prizren, kur edhe e legalizoi Vakëfnamenë e tij.

Duke qenë në shërbim të Ali bej Mihalogllut, Suziu me afinitetin dhe prirjet e tij prej poeti e kronisti, bëmat dhe trimëritë e prijësit të tij i përjetësoi dhe i përmblodhi në veprën me titull “Gazāvatnāme-i ‘Ali-beg Mihaloğlu” (“Libri i luftërave të Ali beg Mihaloglut”), dhe e cila përmban 15 mijë bejte, përkatësisht 30 mijë distike, të thurura sipas rimës së mesnevisë.

Përveç kësaj vepre poetike-historike, Suzi ka shkruar edhe poezi të tjera, sikurse janë naziret, poezitë didaktike-satirike, të cilat atë botë ishin në modë dhe të tjera. Ndryshe Suziu është vëllai i poetit tjetër të njohur nga Prizreni, Nehariut (vdiq më 929/1552 dhe u varros në Prizren, siç shkruan në epitafin e tij, i cili gjendet pranë atij të Suziut).

Në bazë të epitafit të Suziut, i cili fatmirësisht është ruajtur deri më sot, mund të konstatohet se Suziu ka vdekur në vitin 931 hixhri, përkatësisht ndërmjet 29. 10. 1524 – 17. 10. 1525 sipas kohës së re dhe është varrosur në mezarin e Xhamisë së tij në Prizren.

Kutubhaneja/Biblioteka e Suziut

Në verilindje të xhamisë së tij, Suzi Prizrenasi e ndërtoi një godinë, ku e vendosi kutubhanen/bibliotekën, shkrimoren (ku përshkruheshin e kopjoheshin veprat e ndryshme) dhe mektebin e tij, të cilat, së bashku me vakëfet e tjera të tij, i legalizoi në vitin 1513. Te tri këto institucione (shkolla, shkrimorja dhe biblioteka) të themeluara nga Suziu dihet me siguri se janë më të vjetrat në Kosovë. Objekti i kutubhanes ishte i vendosur në kat. Në përdhese gjendeshin tri kroje, po ashtu vakëfe të Suziut, që buronin nga pllaka të mëdha gurësh kristali, ku kishte vend edhe për pushimin e besimtarëve para dhe pas abdesit. Kati ishte i vendosur në transversale druri, që mbështetej në nëntrarëza dhe shtylla, po ashtu prej druri. Pullazi përmbi strehë ishte i mbuluar me rrasa guri. Në këtë mënyrë mbuloheshin edhe pullazet e shtëpive në Prizrenin e asaj kohe.

Në bazë të titujve të librave të shënuar në Vakëfnamenë e Suziut, studiuesit kanë venë re se në këtë kutubhane janë ruajtur veprat e disa dijetarëve të njohur arab dhe persian, që tregon jo vetëm shijen e Suziut, por edhe argumenton se në Prizren në atë kohë ka pasur njerëz që kanë ditur të lexojnë në këto gjuhë.

Përveç librave nga fusha e traditës dhe të drejtës së Sheriati, në këtë bibliotekë vërtetohet të jenë ruajtur edhe disa vepra të njohura të mistikëve, si të ‘Attārit dhe Xhelāludīn Rūmīut, sikurse edhe të filozofit të madh arab Gazālīut.

Suzi kishte një kusht shumë të mirë dhe interesantë të vakëfnimit të librave në bibliotekën e tij dhe rreth përdorimit të tyre, e ai kusht ishte: “Derisa unë (Suziu-S.M.) të jem gjallë, unë do të jam pronar i tyre (dorëshkrimeve), ndërsa pas vdekjes sime për to do të kujdeset imami i xhamisë time. Imami le t’ua japë ato (dorëshkrimet) në huazim dijetarëve dhe atyre që janë në gjendje të kenë dobi prej tyre, të cilët do të lexojnë lutje (salavate) për shpirtin tim (shpirtin e Suziut-S.M.).

Në bibliotekën e Suziut janë ruajtur edhe veprat e vetë Suziut dhe të vëllait të tij poetit Nehariut. Aty është ruajtur edhe “Gazāvatnāmeja” e tij e famshme, që e bënë Suziun të pavdekshëm dhe e fut atë në radhën e kronistëve dhe historianëve më të njohur të kohës. Kjo vepër e pasuron listën e emrave të mëdhenj që historia e shqiptarëve ka nxjerrë gjatë shekujve dhe mbush faqet e saj.

Nga biblioteka e Suziut sot ka ngelur një pjesë e godinës e cila është shndërruar në banesë, ndërsa pjesa e tjetër është rrënuar nga pakujdesia. Kurse fati i fondit librar që kishte kjo bibliotekë, nuk dihet. Sikundër që nuk dihet edhe fati i shumë bibliotekave islame orientale të pasura me një numër të madh të dorëshkrimeve të çmueshme, të cilat, në shekujt e kaluar, gjatë kohëve të vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë, u dogjën, u zhdukën apo humbën gjurmët. Megjithëkëtë, disa prej dorëshkrimeve të këtyre bibliotekave, shumica vepra të autorëve a të kopjuesve shqiptarë, u dërguan nëpër biblioteka të ndryshme, si në Turqi, Bosnjë, Bratislavë, Beograd dhe në vende të tjera. Dorëshkrime të autorëve shqiptarë, si të Suziut, Mustafa Shem’iut, të Sa’it, Nehariut, të Jahja bej Dukagjinit dhe shumë autorëve e kopjuesve të tjerë, gjejmë edhe në Bibliotekën e Gazi Husrev-beut në Sarajevë, pastaj në Bibliotekën e Arkivit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë në Beograd, në Bibliotekën Universitare të Bratislavës, Zagreb, Berlin dhe në qendra të tjera, të cilat presin dorën e hulumtuesve shqiptarë për t’i nxjerrë nga heshtja memece dhe nga pluhuri i harresës dhe, të paktën, kopjet e tyre për t’i kthyer në vendorigjinën e tyre, aty ku u shkruan, aty ku u krijuan dhe aty ku jetuan e vepruan shkruesit dhe autorët e tyre.

Si përfundim

Në përmbyllje të këtij shkrimi në kujtim të 500-vjetorit të Bibliotekës së parë në Kosovë-Bibliotekës/Kutubhanesë së Suzi Prizrenasit, duhet të themi se, kjo bibliotekë, sikurse të gjitha vakëfet që ka lënë Suziu në Prizren janë në gjendje të mjerueshme (përveç xhamisë). Për më tepër, disa prej tyre kanë shkuar në pakthim, e ato që kanë mbetur nuk kanë trajtimin meritor, sikundër që as themeluesi i këtyre institucioneve nuk ka marrë vendin e tij meritor në tekstet e historisë së letërsisë dhe në librat e tjerë shkollor.

Prizreni duhet ta ketë për nder këtë personalitet të dalë nga gjiri i tij, këtë poet, kronistë e bamirës të madh, Mevlana Suzi-un, i cili njihet, çmohet e studiohet më shumë në qendrat akademike jashtë, se sa në vendin ku lindi dhe ku ndërroi jetë.

Duhet të mburremi me Suziun, i cili si shumë e shumë vendës të tjerë, me gjithë ofiqet dhe privilegjet që u ishin ofruar në qendra të ndryshme të Perandorisë Osmane dhe gjetiu, preferuan që të ktheheshin në vendlindjen e tyre dhe aty të ndërtonin objekte dhe të themelonin vakëfe, duke ngritur shumë vepra bamirëse dhe duke u qëndruar pranë njerëzve të thjeshtë; ata kurrë nuk harruan vendlindjen e tyre dhe as harruan që të ndihmojnë në çdo pikëpamje zhvillimin ekonomik, arsimor, fetar, zejtar, arkitektonik etj., të vendit të tyre.

Prizreni s’ka se si të mos e ketë për nder këtë personalitet që i dha atij më të parën shkollë dhe më të parën bibliotekë. Në anën tjetër, vetë Suziu e pati për nder dhe ishte shumë krenar, mirënjohës e falënderues për qytetin e tij, sa që për mbiemër të vetin kishte zgjedhur emrin e qytetit ku lindi dhe vdiq; këtë asnjëherë nuk harroi që ta shkruante: Suzi (Pir)Zerrini (Suzi Prizrenasi). Kështu shkruan edhe në epitafin e tij.

Dhe, në fund fare, nuk gjejmë përfundim më të mirë për këtë vështrim tonin sesa të sjellim disa  vargje/mendime të Suziut nga “Gazāvatnāmeja” e tij, të përzgjedhura dhe të përkthyera (me pakë përshtatje tonën) nga njohësi i veprës së Suziut, orientalisti i shquar shqiptar Hasan Kaleshi:

“Ruaju, mos i kalo kufijtë e tu, se fati

Do të të bëjë qesharak përpara banorëve të botës,

 

Vëlla, bëhu i matur, qafën mos e ço lartë,

Qielli është gjakësor, ai çdo ditë heqë koka

 

Ec, por me kujdes, dhe hapat mos i zgjat shumë,

Se në çdo hap ka mija pengesa ndaj dhe do të ngatërrohesh!

 

Mos ia hap botës kraharorin si mburojë

Se do të bëhesh nishan i shigjetave qiellore,

 

Ty o princ, mos mendo se përgjithmonë do të të mbetet froni

Sepse Husrevit (mbret persian – H.K.) kurorën nga koka fati ia hoqi”.

 

 

SHPËRNDAJE