Në rajonin e Ballkanit favorizohet lindja e meshkujve kundrejt femrave

Në organizim të Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) dhe Qendrës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), në Turqi është organizuar forum ndërkombëtar i nivelit të lartë për parandalimin e përzgjedhjes gjinore dhe zhvlerësimit të gjinisë femërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj në forumin e organizuar në kuadër të “Programit Global Kundër Preferencës së Fëmijëve Meshkuj dhe Zhvlerësimit të Vajzave”, Ayşegül Esin, koordinatore e programeve globale të Qendrës Ndërkombëtare të Fëmijëve, tha se humbja e një shifre prej mbi 130 milionë vajzash në botë buron kryesisht në Indi dhe Kinë, por edhe në vende si Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Bangladeshi, Vietnami dhe Nepali.

Nëse nuk bëhet asnjë intervenim, tha Esin, në botë duhet të lindin 100 vajza në çdo 105 djem.

“Kjo është një llogaritje matematikore. Nëse shohim shifrat lidhur me gjininë, në këto vende ajo shkon deri në 117-120. Madje, në Kinë ka raste kur ka shkuar deri në 140. Në nivel botëror, vetëm Koreja e Jugut ka arritur sukses në këtë drejtim. Si rezultat i përmirësimit të menjëhershëm të ekonomisë, kjo shifër ka zbritur nga 145 në 105 në Korenë e Jugut”, tha Esin.

“Ka shumë masa që merren. Në disa vende jepen dënime deri në dy vite burgim për mjekët që tregojnë gjininë e fëmijës së palindur. Është i ndaluar ultrazëri. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk ka qenë shumë efikase. Ajo që është efikase është forca e arsimit dhe politikave sanksionuese”, shtoi ajo.

Esin vuri theksin mbi përfundimin e të gjitha praktikave që dëmtojnë gjininë femërore, duke shtuar se në mesin e këtyre praktikave gjenden abortimi i foshnjave të gjinisë femërore ose vrasja pas lindjes.

“Ndërkaq, nëse jeton, ajo privohet pavarësia, vaksinimi dhe ushqimi i mjaftueshëm. Çështja është sensitive edhe në aspektin politik, andaj shumë vende e mohonin këtë gjë. Pranimi është hapi i parë drejt marrjes së masave. Ne duhet t’u japim vlerë dhe t’u mundësojmë të jetojnë vajzave. Të gjithë duhet të bëjmë diçka që bota të jetë më e mirë dhe e balancuar, por fillimisht politikanët duhet të marrin masa në këtë drejtim”, potencoi Esin.

Nga ana tjetër, drejtoresha rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Alanna Armitage, tha se edhe pse problemi i numrit më të madh të lindjeve të djemve ka filluar në Azi, ai është përhapur në tërë rajonin, ndërsa shtoi se seleksionimi i djemve, sikurse në rajonet e tjera të botës, buron nga rregullat dhe praktikat sociale të rrënjosura të cilat i favorizojnë meshkujt.

“Në Armeni, Gjeorgji, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, lindja e foshnjave meshkuj është më e lartë se e atyre të gjinisë femërore. Nëse ky trend vazhdon, atëherë në vitin 2060 në Armeni do të humbin afër 100 mijë vajza”, deklaroi Armitage.

Megjithatë, tha ajo, me përkushtimin e qeverive dhe mbështetjen e BE-së dhe partnerëve të tjerë, seleksionimi i meshkujve është zvogëluar dalëngadalë në dhjetë vitet e fundit.

Po ashtu, Christophe Guilmoto nga Qendra e Popullsisë dhe Zhvillimit pranë Universitetit të Parisit, tha se raportet aktuale tregojnë se Azerbajxhani kryeson në nivel botëror për sa i përket disproporcionit gjinor me 114,6 djem në çdo 100 vajza, por e vlerësoi pozitivisht rënien e kësaj norme në këtë vend dhe në Kinë nga 117-120.

“Ndryshimi i statusit të grave në shoqëri, pjesëmarrja në fuqinë punëtore, arsimimi i tyre, e drejta më e madhe e fjalës brenda familjes dhe politikat e zbatuara nga shtetet; mbrojtja e të drejtave të grave në vende si India, Kina dhe Shqipëria, ndalimi i seleksionimit gjinor para lindjes dhe mbështetja e nënave që kanë vajza, ndihmojnë në uljen e këtyre normave”, tha Guilmoto.

Ndryshe, “Programi Global Kundër Preferencës së Fëmijëve Meshkuj dhe Zhvlerësimit të Vajzave” zbatohet nga viti 2016 në dy rajone të ndryshme (rajoni i Azisë-Paqësorit dhe rajoni i Evropës Lindore-Azisë Qendrore) dhe në gjashtë vende zbatuese (Armeni, Azerbajxhani, Gjeorgji, Bangladesh, Vietnam dhe Nepal).

Forumi dyditor, në të cilin marrin pjesë delegacone nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhan, Bangladeshi, Kamboxhia, Kina, Gjeorgjia, India, Kosova, Maqedonia e Veriut, Nepali, Koreja e Jugut dhe Vietnami, do të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Në forum, zyrtarë të vendeve të ndryshme, organizata joqeveritare dhe ekspertë diskutojnë “seleksionimin e njëanshëm të djemve që buron nga diskriminimi gjinor në shoqëri”.