Në Prishtinë u organizua tryeza “Dialogu për Investime”

Këshilli i Investitorëve Evropian në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian sot organizoi tryezën e diskutimit “Dialogu për Investime”, i cili ka për qëllim krijimin e mundësive të favorshme për investime evropiane në Kosovë dhe eliminimin e barrierave që u dalin investitorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa foli për progreset e arritura në fushën e zhvillimit ekonomik, duke përmendur këtu se Kosova ka zënë vendin e 65-të në indeksin e Bankës Botërore për të bërë biznes, vendin e parë si Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë, si dhe vendin e 46-të në botë nga Fondacioni Heritage, për liritë ekonomike.

Duke theksuar se zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë së Kosovës, Mustafa tha se “Kjo tyrezë do të na ndihmojë që edhe më tutje t’i konkretizojmë hapat që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që të kemi një lidhje të fuqishme e cila do të ndihmojë në rritjen më të shpejtë ekonomike të Kosovës, në zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe për një punësim më të madh, në eksportin të cilit ne tani duhet t’i japim përparësi elementare dhe në fushën e kohezionit ekonomik dhe të gjithëpërfshierjes”.

Kurse Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi se BE-ja është partneri strategjik dhe investitori më i madh në Kosovë. Ajo tha se së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë identifikuar të gjitha pengesat nga takimi i fundit të dialogut në platformën e investimeve.

“Qëllimi i këtij takimi është që t’i thërrasim të gjitha autoritetet relevante për çështje të caktuara, t’i diskutojmë problemet që të dëgjohen këndvështrimet e kundërta. Kjo ngjarje nuk duhet të shihet si një prej ngjarjeve kur duhet vetëm të diskutohet, por duhet të konsiderohet si një platformë ku do të ketë bisedime konstruktive që do të transformohen në veprime konkrete”, tha Apostolova.

Ndërkaq, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se Kosova ka arritur një progres të rëndësishëm në eliminimin e barrierave dhe të burokracisë në biznes. Sipas saj, ambienti i biznesit është më i mirë tani se që ka qenë ndonjëherë në Kosovë, por që ka ende hapësira për t’u përmirësuar.

“Përqindja e shuarjes së bizneseve në raport me bizneset që regjistrohen brenda një viti, Kosova qëndron më së miri. Janë vetëm 22 për qind e numrit të bizneseve që regjistrohen të cilat shuhen brenda një viti, ndërkohë që në rajon dhe në disa vende të BE-së kjo përqindje është tepër më e lartë lartë”, tha Bajrami.

Në këtë tryezë diskutimi të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministri i Financave, Avdullah Hoti, drejtori ekzekutiv i kompanisë së telekomunikacionit, IPKO dhe Kryesues i Këshillit të Investitorëve Evropian, Robert Erzin, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian Shpend Balija, si dhe udhëheqës të bizneseve vendore dhe evropiane që veprojnë në Kosovë.

Ndryshe, ky është raundi i dytë i Dialogut për Investime, ku i pari ishte mbajtur në muajin maj të vitit të kaluar, në të cilin ishte diskutuar për sektorë të ndryshëm, si minierat dhe mineralet, energjitë, sektoret financiare e të telekomunikoacionit si dhe për sektorë tjerë të rëndësishëm në e fushën e zhvillimit ekonomik të Kosovës.