Në Mitrovicë hapet “Aqua Parku” “më i madh në vend e rajon”

Në qytetin e Mitrovicës është hapur parku ujor “Aqua Park” afër Liqenit Akumulues, i cili, sipas njoftimit për media të komunës së Mitrovicës, është më i madhi në vend dhe në rajon.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë komunalë e shtetërorë, përfaqësues nga kompanitë të cilët kanë realizuar këtë projekt dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se ky projekt madhor i realizuar buzë Ibrit është një nga destinacionet më atraktive të vendit, ndërsa që hapësira përgjatë Ibrit do të jetë hapësira më e rregulluar në Ballkan.

“Mitrovicasit më nuk do të shkojnë nëpër komuna të tjera të vendit për t’u freskuar në pishinat e atjeshme. Ata do të kenë këtu pishinat më bashkëkohore, të mbyllura dhe të hapura, olimpike dhe gjysmë olimpike. Jam i bindur se qytetarët e komunave të tjera do të vijnë në Mitrovicë për të shijuar bukuritë përgjatë lumit Ibër”, tha ndër të tjera Bahtiri.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se në qytetin e Mitrovicës po realizohen projekte të shumta siç është Universiteti “Isa Boletini”, Liqeni Akumulues “Aqua Park”, rinovimi i stadiumit “Adem Jashari” të cilat tha ai po e zbukurojnë më shumë qytetin.

Image

Ndërsa Afrim Durmishi, pronar i “Arjeta Group”, njëra nga kompanitë investitore në këtë projekt, tha se realizimi i këtij projekti është shumë i kënaqshëm dhe do të plotësojë nevojat e qytetarëve, jo vetëm të Mitrovicës, por edhe më gjerë.

Po ashtu ai tha se kjo është vetëm faza e parë e përfunduar e këtij projekti ndërsa do të jenë edhe dy faza të tjera të cilat do të jenë shumë atraktive për qytetarët të cilët do t’i vizitojnë.

Pishina e hapur ku qytetarët e Mitrovicës do të freskohen gjatë kësaj vere, ka një sipërfaqe prej rreth 2.000 metra katrorë, lumi “dembel” ka një gjatësi prej 300 metrash, etj.

“Aqua parku” ka një infrastrukturë të rregulluar mirë e cila ofron pamje jashtëzakonisht të bukur, ndërsa do të jetë pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve.

Projekti ka kushtuar mbi 7 milionë euro, ndërsa komuna e Mitrovicës ka mbështetur projektin me ndarjen në shfrytëzim të hapësirës komunale.