Në Kroaci mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale

Me hapjen e vendvotimeve në mbarë vendin në ora 07.00 filloi rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, raporton Anadolu Agency (AA).

Në garën presidenciale marrin pjesë presidentja aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviç, si kandidate e Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ) dhe ish kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç nga radhët e Partisë Social Demokrate (SDP), pasi këto kandidatë fituan numrin më të madh të votave në rrethin e parë të zgjedhjeve të mbajtur më 22 dhjetor 2019.

Nga Ministria e Administratës Publike më herët konfirmuan se në listën e votuesve për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ndodhen gjithsej 3.860.095 votues të regjistruar, prej të cilëve 3.681.175 banojnë në Kroaci ndërsa 178.920 votues jashtë vendit.

Votuesit në Kroaci deri në ora 19.00 do të mund të votojnë në 6.409 vendvotime, ndërsa shtetasit kroatë jashtë vendit, përkatësisht në 47 shtete, do të votojnë në 124 vendvotime, 1/3 e të cilëve ndodhen në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Kroacisë, të cilat janë publikuar më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Zoran Milanoviç fitoi rreth 29,55 për qind të votave (562.783 vota) në rrethin e parë, ndërsa Kolinda Grabar-Kitaroviç fitoi 26.65 për qind të votave (507.628). Ata u pasuan nga kandidati i pavarur Miroslav Shkoro, i cili fitoi 24,45 për qind të votave (465,628 vota).

Dalja në votime në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale ishte 51,18 për qind. Nga 3.719.741 votues të regjistruar, 1.904.461 dolën të votojnë.

Rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do ta ndjekin numër rekord i vëzhguesve, 24.333. Para 5 viteve, zgjedhjet presidenciale u monitoruan nga rreth 22.000 vëzhgues.

Kujtojmë që këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale që nga viti 1990, kur u mbajtën zgjedhjet e para demokratike në vend. Presidenti zgjidhet për një mandat prej pesë vjetësh. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kroacisë, askush nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë si President.