Në Kanada mbahen zgjedhje federale

Kanadezët sot shkojnë në votime në një garë që konsiderohet referendum për udhëheqjen e kryeministrit aktual Justin Trudeau, transmeton Anadolu Agency (AA).

Votuesit do të vendosin nëse do të rizgjedhin liberalët që janë në pushtet, apo do të zgjedhin ndonjë parti tjetër për të formuar qeverinë e ardhshme të shtetit.

Garuesit kryesor janë liberalët, aktualisht në pushtet me kryeministrin Trudeau i cili kërkon të fitojë mandatin e dytë 4-vjeçar, dhe Konservatorët Progresivë të udhëhequr nga Andrew Scheer. Kjo është fushata e parë e tij si udhëheqës i partisë.

Rreth 4,5 milionë votues votuan në zgjedhjet paraprake të mbajtura në Kanada në katër ditët e kaluara, njoftuan të martën nga “Elections Canada”, autoriteti i zgjedhjeve në Kanada, duke shtuar se ky numër është më i madh se numri i votave në zgjedhjet paraprake në vitin 2015.

“Kjo është një rritje prej 29% nga 3.657.415 votuesit që votuan paraprakisht në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015”, thuhet në një kumtesë të autoritetit të zgjedhjeve.

Liberalët dhe konservatorët kanë dominuar zgjedhjet kanadeze që nga koha kur Kanadaja u bë një vend vetëqeverisës brenda Perandorisë Britanike në vitin 1867, ku Liberalët kanë qeverisur pothuajse 69 vjet gjatë shekullit të 20-të, që është periudha më e gjatë e çdo partie politike në një vend të zhvilluar.

Katër partitë tjera në garë përfshijnë Partia e Re Demokratike (NDP) e formuar nga dy parti pro bashkimit në vitin 1961; Partia e Gjelbër që u krijua në vitin 1983; Blloku Quebecois i formuar në vitin 1991; si dhe Partia e Popullit që po kandidon për herë të parë në një zgjedhje federale.

Sondazhet e fundit i vendosin Liberalët dhe Konservatorët në një garë të ngushtë.

Kjo mund të prodhojë një qeveri të pakicës nëse as Liberalët dhe as Konservatorët nuk marrin 170 prej 338 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, të nevojshme për të formuar një qeveri shumicë.

Kryetari i NDP-së, Jagmeet Singh, është në fushatën e tij të parë dhe veçse ka thënë se është i hapur që të formojë aleancë me liberalët për të ndaluar konservatorët nga ardhja në pushtet.

Konservatorët po kërkojnë të balancojnë buxhetin, i parashikuar të jetë 16.5 miliardë dollarë në 2019-29. NDP dhe Liberalët, nga ana tjetër, janë duke u zotuar për të shpenzuar miliarda në mënyra të ndryshme, siç është infrastruktura.

Këto janë zgjedhjet e 43-ta federale në Kanada.

Kanadaja ka 10 provinca dhe tre territore që kanë qeveri me sfera specifike të kompetencave, por qeverisja e përgjithshme i takon qeverisë federale me seli në kryeqytetin Ottawa që ndan mjetet për provincat.

Kanadezët votojnë për anëtarët e veçantë për gjithsej 338 ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve.

Zgjedhjet organizohen në sistem të atillë që secilën ulëse e fiton kandidati i cili merr më shumë vota. Çdo kryetar i partisë duhet të kandidojë dhe është e mundshme që partia të fitojë zgjedhjet ndërsa lideri i saj të humb ulësen në rrethin e tij.

Që nga viti 1929, dita e zgjedhjeve gjithmonë ka qenë e hëna, përveç nëse përkon me një festë federale ose krahinore.

Në zgjedhjet e vitit 2015, liberalët fituan 184 ulëse dhe formuan qeveri të shumicës.