“Në Jemen 2,2 milionë fëmijë ballafaqohen me kequshqyerjen”

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) njoftoi se 2,2 milionë fëmijë si pasojë e mungesës së ushqimit po ballafaqohen me problemin e kequshqyerjes akute, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e përgatitur nga UNICEF, rikujtohet se po afrohet katër vjetori i konfliktit në Jemen, ku theksohet se gjendja njerëzore në këtë shtet po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

Në raport thuhet se në këtë shtet është shkatërruar sistemi i auditimit shëndetësor, më shumë se gjysma e qendrave shëndetësore kanë ndalur punën dhe se punëtorët për disa vite nuk kanë arritur që t’i marrin pagat e tyre.

Në raport po ashtu theksohet se për disa javë në vend është shënuar rritje edhe në rastet e epidemisë së kolerës dhe se kjo gjendje mund të sjellë edhe një valë të tretë të epidemisë.

Gjithashtu theksohet se në Jemen që ka një popullsi prej 27 milionë banorë, 16,37 milionë persona kanë nevojë për shërbime themelore të shëndetësisë. “Rreth 2,2 milionë fëmijë në Jemen po përjetojnë problemin e kequshqyerjes akute. Këta fëmijë kanë nevojë për kujdes emergjent. 400 mijë prej këtyre fëmijëve të cilët po ballafaqohen me kequshqyerje të fuqishme akute, kanë rrezikun e vdekjes nëse nuk marrin ndihmë emergjente”, thuhet në raport.

Në Jemen po përjetohet krizë njerëzore në fusha të shumta duke filluar nga shëndetësia. Si pasojë e mungesës të qasjes në ujë të pastër, ushqim të pamjaftueshëm, ilaçe dhe pajisje mjekësore çdo ditë e më shumë vërehen rritje të sëmundjeve epidemike, duke filluar nga kolera.